Të burgosurit pa punë, tregu pa punëtorë – potenciali i pashfrytëzuar pas grilave

Nga Xh M
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Mungesa e fuqisë punëtore dhe potenciali i pashfrytëzuar i të dënuarve: Pse nuk shfrytëzohet më shumë puna si pjesë e risocializimit?

Shkup, 12 korrik Zhurnal.mk – Në një vend ku punëdhënësit gjithnjë e më shpesh paralajmërojnë për mungesën e fuqisë punëtore, paralelisht ekziston një potencial i pashfrytëzuar në sistemin e ekzekutimit të sanksioneve. Angazhimi në punë i personave të dënuar parashihet me ligj dhe tashmë ka dhënë rezultate në disa institucione ndëshkuese-korrektuese, si në Burgun e Prilepit, ku të burgosurit janë përfshirë në punë bujqësore. Megjithatë, në praktikë kjo mundësi vazhdon të mbetet e kufizuar.

Ndërkohë që Serbia dhe disa vende evropiane zhvillojnë punishte brenda burgjeve, programe trajnimi dhe aftësimi profesional për t’i përgatitur të dënuarit për rikthim në tregun e punës, në Maqedoninë e Veriut mbetet pyetja pse ky mekanizëm nuk përdoret në një shkallë më të gjerë.

Për më tepër, të dhënat nga Gjykata Penale tregojnë se puna në dobi të komunitetit, si masë alternative, vazhdon të shqiptohet rrallë. Numri më i madh i rasteve është regjistruar gjatë pandemisë, gjë që ngre dilemën nëse shteti po i shfrytëzon sa duhet mekanizmat e risocializimit, në vend që të mbështetet kryesisht te ndëshkimi.

Të burgosurit si pjesë e procesit të punës dhe risocializimit

Në një kohë kur kompanitë kërkojnë punëtorë dhe mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një nga pengesat më të mëdha ekonomike, në sistemin penitenciar ka persona të dënuar që mund të përfshihen në procese pune – jo si fuqi punëtore e lirë, por si pjesë e procesit të risocializimit dhe përgatitjes për jetën pas vuajtjes së dënimit.

Shembulli më i fundit vjen nga Institucioni Ndëshkues-Korrektues në Prilep, ku këtë vit u realizua me sukses korrja e elbit në një sipërfaqe prej 180 hektarësh. Në aktivitetet bujqësore morën pjesë edhe persona të dënuar, si pjesë e programeve të angazhimit të tyre në punë.

Nga korrja u grumbulluan rreth 34 mijë kilogramë elb, i cili do të përdoret për nevojat e vetë institucionit, përkatësisht si ushqim për fermën që funksionon në kuadër të Burgut të Prilepit.

Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve theksojnë se angazhimi në punë nuk është vetëm mënyrë për të prodhuar dhe ulur shpenzimet e institucioneve, por mbi të gjitha një mekanizëm për krijimin e shprehive të punës dhe integrimin më të lehtë të të dënuarve pas lirimit.

Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, thotë se tashmë ekzistojnë modele për angazhimin e të dënuarve edhe jashtë institucioneve penitenciare.

“Komunat kanë nënshkruar memorandume me kryetarët e komunave dhe, kur vlerësojnë se kanë nevojë, angazhojnë të burgosur nga repartet e burgjeve. Ne, si Drejtori, inkurajojmë përdorimin e fuqisë punëtore të këtyre personave. Edhe në Strumicë ka shembuj të tillë, ku të dënuarit angazhohen në punë”, tha Pandov.

Serbia me model më të zhvilluar, Evropa me sistem trajnimi

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut angazhimi i të dënuarve lidhet kryesisht me aktivitetet brenda burgjeve, në disa vende evropiane puna e tyre është pjesë e një sistemi të organizuar për aftësim profesional dhe përgatitje për rikthim në tregun e punës.

Serbia ka zhvilluar një model më të avancuar. Në burgjet e saj funksionojnë reparte prodhuese dhe punishte ku të dënuarit angazhohen në prodhimin e mobilieve, punime druri, bujqësi, përpunim ushqimor dhe profesione të tjera.

Atje, puna konsiderohet pjesë e trajtimit të të dënuarve dhe jo vetëm shfrytëzim i fuqisë së tyre punëtore. Synimi është që pas lirimit ata të kenë fituar aftësi profesionale që u mundësojnë të gjejnë punë dhe të mos rikthehen në kriminalitet.

Një shembull është Institucioni Ndëshkues-Korrektues në Pançevë, ku të dënuarit janë trajnuar në prodhimin e dritareve PVC, shërbime parukerie dhe përpunim të frutave e perimeve.

Edhe në Gjermani puna e të dënuarve është pjesë përbërëse e sistemit penitenciar. Burgjet kanë punishte dhe njësi prodhuese ku të burgosurit fitojnë aftësi profesionale. Në disa lande, puna është edhe detyrim ligjor për personat e dënuar.

Austria gjithashtu ka programe të zhvilluara pune, nga punishtet artizanale deri te aktivitetet bujqësore.

Holanda investon në programe ku të burgosurit jo vetëm punojnë, por trajnohen edhe për profesione që kërkohen në tregun e punës.

Në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë shembuj si ai i Burgut të Prilepit apo bashkëpunimi me komunat, por nuk ka të dhëna publike që angazhimi në punë të jetë zhvilluar si politikë e gjerë shtetërore.

Kjo ngre pyetjen nëse, në një kohë mungese të punëtorëve, shteti po e shfrytëzon mjaftueshëm potencialin e këtij sistemi, i cili njëkohësisht mund të ndihmojë edhe në risocializimin e të dënuarve.

Puna në dobi të komunitetit mbetet alternativë e rrallë

Përveç dënimit me burg ose dënimit me kusht, ligji parashikon mundësinë që një pjesë e autorëve të veprave penale të dënohen me punë në dobi të komunitetit. Qëllimi i kësaj mase është që personi të mbajë përgjegjësi për veprën e kryer, por njëkohësisht të mbetet i integruar në shoqëri dhe të kontribuojë përmes punës.

Megjithatë, të dhënat e Gjykatës Themelore Penale në Shkup tregojnë se kjo mundësi përdoret ende shumë pak.

Në periudhën 2018–2024 janë regjistruar vetëm 162 raste ku është shqiptuar masa e punës në dobi të komunitetit.

Numri më i madh i këtyre vendimeve është marrë gjatë viteve 2020 dhe 2021, në kohën e pandemisë, kur shumica e rasteve lidhej me mosrespektimin e masave shëndetësore gjatë epidemisë.

Kjo tregon se rritja e numrit të këtyre masave nuk ishte rezultat i përdorimit më të gjerë të alternativave për lloje të ndryshme të veprave penale, por kryesisht pasojë e krizës së COVID-19.

Pas kësaj periudhe, përdorimi i kësaj mase ka rënë ndjeshëm. Statistikat përfshijnë raste të vjedhjes, marrjes së automjeteve, rrezikimit të sigurisë në komunikacion, dëmtimit të pronës dhe keqpërdorimit të të dhënave personale, por numri i tyre mbetet dukshëm më i ulët.

Pikërisht për këtë arsye, nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve kërkohet përdorim më i shpeshtë i masave alternative.

“Ne u bëjmë apel gjyqtarëve që gjatë shqiptimit të dënimeve të vendosin më shpesh punë në dobi të komunitetit si kusht, sepse kjo nuk është praktikë e zakonshme në gjykata”, tha Pandov.

Sipas konceptit të këtyre sanksioneve, puna në dobi të komunitetit duhet të krijojë një ekuilibër mes përgjegjësisë për veprën penale dhe mundësisë që personi të mos izolohet plotësisht nga shoqëria. Njëkohësisht, kjo do të ndihmonte edhe në uljen e mbipopullimit në burgje.

Megjithatë, që ky model të funksionojë në praktikë, nevojiten mekanizma efektivë mbikëqyrjeje dhe një gatishmëri më e madhe e institucioneve për ta zbatuar këtë alternativë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër