Sonte, në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë (TKM), zyrtarisht do të hapet edicioni i 26-të i Skopje Film Festival, i cili këtë vit sjell një koncept të modernizuar, program të pasuruar dhe praninë e fuqishme ndërkombëtare. Programi fillon në orën 19:30 me parakalimin në tapetin e kuq, ku do të mbërrijnë shumë autorë filmi, aktorë, të ftuar nga jashtë dhe personalitete të shquara të kulturës dhe artit. Fillimi i ceremonisë zyrtare është caktuar për orën 20:00. Në kuadër të hapjes, për herë të parë do të ndahet çmimi i festivalit „Skopolia e Artë“ për kontribut të jashtëzakonshëm ndaj kinematografisë botërore. Këtë vit njohja u takon autorëve polakë: regjisores Małgorzata Szumowska dhe operatorit e regjisorit Michał Englert. Pas ndarjes së çmimit, festivali do të hapet me shfaqjen e filmit të tyre më të ri “IDIOT(ËT)” (The Idiot(s)), në të cilin rolet kryesore i interpretojnë Johnny Flynn dhe Amy Lou Wood.
Edicioni i këtij viti të festivalit ka tërhequr profesionistë të shquar të industrisë filmike evropiane dhe rajonale. Në Shkup tashmë ndodhen anëtarët e jurisë ndërkombëtare dhe të Këshillit të Festivalit: kritiku dhe selektori britanik i filmit Philip Bergson, producenti britanik Steve Abbott, producenti rajonal Miroslav Mogorović, regjisori serb Pavle Vučković, selektorja gjermane e filmit Daniela Weber, si dhe aktorja e producentja maqedonase Labina Mitevska dhe regjisori Darijan Pejovski. Ndër të ftuarit special të ceremonisë pritet edhe prania e aktorit, regjisorit dhe producentit të njohur Dragan Bjelogrlić.
Së bashku me ta, në festival do të marrin pjesë edhe autorët që personalisht do t’ua prezantojnë veprat e tyre publikut shkupjan: Halkawt Mustafa, regjisor i filmit „No Paradise If You Are Killed by a Woman“; Lawrence Fajardo, regjisor i filmit „Silenced Nights“; Dimitris Nakos, regjisor i filmit „Life in a Beat“; Gábor Holtai, regjisor i filmit „Feels Like Home“; Susanne Heinrich, regjisore dhe skenariste, dhe Marcelo Busse, të cilët prezantojnë filmin “The Miserable Mother”.
Në ditët në vijim, nga sot deri më 9 nëntor, Skopje Film Festival do të ofrojë një program filmik jashtëzakonisht të pasur dhe të larmishëm, plot premiera të veprave autoriale të shquara, të preferuara të festivaleve, biseda dinamike filmike dhe sesione ekskluzive masterklas me ligjërues të ftuar. Qendra e Festivalit ndodhet në Qendrën Kulturore Rinore (QKR), ndërsa shfaqjet do të zhvillohen në dy lokacione të njohura kulturore në qytet — Teatri Kombëtar i Maqedonisë (TKM) dhe kinemaja „Frosina“ në QKR. Biletat për të gjitha shfaqjet, përfshirë edhe hapjen festive, janë tashmë në shitje përmes rrjetit të MK Tickets.
Për programin e plotë të festivalit, informacione shtesë dhe lajme rreth aktiviteteve të ardhshme të festivalit, vizitoni faqen zyrtare të internetit sff.mk ose ndiqni profilet zyrtare të festivalit në rrjetet sociale.
