31 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës, Kos: Rruga drejt BE garancia për një Bosnjë-Hercegovinën

Nga Xh M
1,571 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Sarajevë, 11 korrik Zhurnal.mk – Në Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, bëri thirrje për pajtim, dialog dhe përgjegjësi, duke theksuar se vetëm përmes përballjes me të kaluarën, mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për Bosnjë-Hercegovinën.

Përmes një mesazhi të publikuar me rastin e kësaj dite, Kos vlerësoi se përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, mbetet mënyra më e mirë për të garantuar një shtet sovran, të bashkuar, shumetnik dhe demokratik.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës. Shërimi i plagëve të së kaluarës kërkon guxim, angazhim të sinqertë dhe një përkushtim të vërtetë ndaj pajtimit”, tha Kos në mesazhin e saj.

“Kjo do të thotë, të zgjedhim përgjegjësinë në vend të përçarjes, dialogun në vend të përballjes dhe të mbështesim procesin e gjetjes dhe identifikimit të viktimave që ende rezultojnë të zhdukura”, shtoi komisionerja e BE-së.

“Përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian është mënyra më e mirë për të siguruar një Bosnjë-Hercegovinë sovrane, të bashkuar, shumetnike dhe demokratike”, theksoi ajo.

“Gjithashtu, është mënyra më e mirë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në pluralizëm, respekt të ndërsjellë dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, u shpreh Kos.

Çdo vit, më 11 korrik shënohet Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995.

Kjo ditë nderon kujtimin e më shumë se 8 300 burrave dhe djemve boshnjakë myslimanë, të cilët u vranë në mënyrë sistematike nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

Masakra e Srebrenicës konsiderohet krimi më i rëndë në tokën evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit 2024, përmes Rezolutës 78/282.

Kjo ditë synon të ruajë të vërtetën historike, të kundërshtojë mohimin dhe shtrembërimin e fakteve rreth gjenocidit, si dhe të nxisë edukimin e brezave të ardhshëm mbi rëndësinë e kujtesës dhe parandalimit të krimeve të tilla.

Kombet e Bashkuara organizojnë çdo vit një ceremoni zyrtare përkujtimore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër