Moti i keq, Vengu nga Maliqi: Dëme të konsiderueshme në argjinaturën në Sheqeras. 15 ura të dëmtuara në vend, 1500 hektarë tokë nën ujë

nga L. M

Situata në vend vijon të mbetet kritike për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i pranishëm sot në Maliq, raportoi për dëmtime të mëdha në argjinaturën e Sheqerasit.

Jemi sot në zonën e Maliqit, në argjinaturën në Sheqeras ku ka patur dëmtime të konsiderueshme dhe në orët e para të shembjes së saj, drejtoritë rajonale të kullimit, bashkia Maliq, dhe forca të tjera që do shtohen në orët në vijim, janë duke bërë punime rehabilituese”, tha Vengu.

Ministri bëri të ditur se edhe në zonën e Pyllit të Fazanëve është konstatuar një dëmtim tjetër argjinature, duke vështirësuar prurjet e ujërave nga Dunaveci në Devoll. Për këtë arsye, po kryhet rishpërndarje e forcave dhe është kërkuar angazhim shtesë nga ushtria. Në Qafë Plloçë, rrëshqitja e masiveve shkëmbore ka krijuar problematika të mëdha, duke detyruar ndërhyrje emergjente për devijimin e rrugës.

Po vijnë mjete vetëshkarkuese të ndihmojnë me volumet e mëdha që kërkohen për të mbuluar këto dëmtime. Jemi në gatishmëri, po shtojmë forcat, duhet të kuptojmë që kemi situata edhe të rrëshqitjes së dherave e masiveve malore, ku në Qafë Plloçë kishte një problematikë të madhe që na bëri të angazhohemi fuqimisht për të bërë një devijim përmes operatorëve të zonës. Do jenë ditë të vështira sepse reshjet do rifillojnë, toka është si “sfungjer” praktikisht dhe është e vështirë të punohet në situata ku toka është shumë e pastabilizuar dhe e mbushur me ujë. Gjithsesi, po shtojmë forca në mënyrë që Maliqi mos të ketë problematikë në reshjet që do pasojnë gjatë javës që vjen”, theksoi Vengu.

Sipas një bilanci paraprak, Ministri i Mbrojtjes bëri me dije se janë 15 ura të dëmtuara në rang vendi dhe se 1500 hektarë tokë ndodhen nën ujë. Ministri theksoi se dëmshpërblimet do të kryhen sipas parashikimeve ligjore, ndërsa evidentimet janë ende në proces.

Qasja jonë është jo vetëm të qëndrojmë pranë banorëve pas kërkesave të kryetarëve të bashkive sa i përket rezervave materiale të shtetit, ka filluar shpërndarja e ndihmave në raste të caktuara. Kemi kërkuar gjithashtu nga bashkitë që të bëjnë kërkesat për sa i përket ushqimeve për blegtorinë, koncentrat për blegtorët e prekur, dhe jemi në kushte ku po shpërndajmë në mbarë vendin edhe ushqime për blegtorinë. Këto janë dy grupet më të prekura dhe strategjia jonë është tu qëndrojmë pranë duke ditur që do kemi ende reshje, nuk jemi jashtë rrezikut. Thjesht është një moment dielli që mundëson të vazhdojmë punën në terren. Presim prurje në mbarë vendin me intensitet shumë më të ulët se 3 frontet e para meteorologjike, por edhe jugun e presim të vijojë të ketë prurje dhe basenet ujore në jug të vendit do vijojnë të kenë prurje, ndaj jemi në gatishmëri të plotë.

Evidentime do bëhen dhe kemi mundësinë të bëjmë dëmshpërblime sipas parashikimeve ligjore. Është herët për një bilanc, kemi vetëm bilance paraprake dhe na rezulton që kemi rreth 1500 hektarë tokë nën ujë. Ujërat po ulen në nivel në mbarë vendin e kjo na jep mundësinë të rikuperojmë argjinaturat. Ka diferencë të madhe mes bashkive që kanë arritur të bëjnë investimet e nevojshme dhe atyre që s’kanë patur mundësi të bëjnë investime. Në projektbuxhetin 2026 ne kemi një qasje të re sa i përket mbështetjes së bashkive sidomos atyre me më shumë risk për emergjencat civile duke i ardhur në mbështetje me fonde shtesë me një shpërndarje investimesh më të drejtë se në të kaluarën”, theksoi Vengu.

/rtsh.al/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More