Heshtja flet më fort se fjalët: Prindërit nga “Puls” bënë thirrje për solidaritet me viktimat në Zvicër

Nga B.M
724 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Koçan, 10 janar – Me qirinj të ndezur dhe në një atmosferë të qetë e dinjitoze, pasditen e sotme në Koçan u mbajt një tubim paqësor nën moton “Dy qytete – e njëjta dhimbje”. Qytetarë nga të gjitha gjeneratat u mblodhën për të shprehur ngushëllime dhe solidaritet me familjet e viktimave të tragjedisë në qendrën zvicerane të skijimit Kran-Montana.

Në tubim morën pjesë edhe prindërit e fëmijëve që humbën jetën në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Ata theksuan se e kuptojnë thellë dhimbjen, humbjen dhe zbrazëtinë që lë pas një tragjedi e tillë, duke nënvizuar se heshtja ndonjëherë flet më fort se fjalët. Në apelin e tyre, ata u bënë thirrje qytetarëve për solidaritet dhe empati me viktimat dhe familjet e prekura nga tragjedia në Zvicër.

Në shenjë nderimi për jetët e humbura, të pranishmit lëshuan 40 balona të bardhë drejt qiellit – simbol i rinisë që u shua para kohe.

Pa fjalime dhe pa pankarta, tubimi kaloi në heshtje, e ndërprerë vetëm nga dridhja e flakëve të qirinjve. Mesazhi ishte i qartë – dhimbja nuk njeh kufij, ndërsa solidariteti njerëzor i lidh qytetet dhe njerëzit në momentet më të vështira.

Në zjarrin në Kran-Montana jetën e humbën 40 të rinj, ndërsa në tragjedinë në Koçan, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër