Prokurori Jovan Cvetanovski, kandidat për shef të Prokurorisë për Krim të Organizuar: Para kolegëve qëndroj me përvojën dhe integritetin tim

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 tetor Zhurnal.mk – Në fund të muajit, më saktësisht më 28 tetor, do të bëhet i njohur pasardhësi i Islam Abazit, shefit aktual të prokurorisë më të fuqishme në vend, Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Të pesë kandidatët, në një prononcim për revistën “Fokus”, shpjegojnë pse konsiderojnë se janë zgjedhja e duhur për të drejtuar këtë prokurori dhe pse kolegët duhet të votojnë për ta. Ata gjithashtu përgjigjen se çfarë i nevojitet këtij institucioni për t’u përballur pa kompromis me krimin e rëndë dhe cilat do të jenë angazhimet e tyre nëse zgjidhen në këtë detyrë.

Në garë janë prokurorët Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski. Revista “Fokus” këto ditë po publikon deklaratat e tyre sipas radhës së përcaktuar në listën e kandidatëve të publikuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.

Prokurori i Lartë Publik i Shkupit, Jovan Cvetanovski, ka mbi 20 vjet përvojë pune, ndërsa gjatë tetë viteve të fundit është pjesë e Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.

Ai thotë se përvoja e tij shumëvjeçare e bën zgjedhjen e duhur për këtë detyrë, duke premtuar luftë efikase kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

“Motivi im kryesor buron pikërisht nga vetë prokuroria, pasi i njoh problemet që lidhen me kapacitetet njerëzore të këtij institucioni. Kjo njohuri vjen nga përvoja ime në prokurori, duke kaluar nëpër të gjitha nivelet e karrierës, që nga viti 1999 e deri më sot.

Jam i bindur se kolegët e mi i kanë njohur te unë profesionalizmin, kolegjialitetin dhe parashikueshmërinë në punë. Me kandidaturën time, pa asnjë kalkulim, qëndroj para të gjithë kolegëve të mi me përvojën dhe integritetin tim.

Qëllimi im në Prokurorinë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion nuk është të menaxhoj problemet, por t’i zgjidh ato. Konsideroj se ka ardhur koha që rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të përfundojnë me aktgjykime efikase dhe të formës së prerë, si dhe me konfiskim të pasurisë, e jo me procedura të gjata dhe të parashkruara që përfundojnë pa epilog”, deklaroi Cvetanovski.

Prokurori shton se ka ide konkrete për përmirësimin e punës së këtij institucioni, të cilat i ka përfshirë edhe në programin e tij.
“Në planin dhe programin tim për punën e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion janë paraparë disa ndërhyrje që do të shërbejnë si bazë për luftimin efikas të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Në këtë moment do të veçoja digjitalizimin urgjent, me qëllim të ndërlidhjes më të shpejtë me institucionet e tjera, si dhe plotësimin urgjent të Qendrës Hetimore me personel, përmes punësimit të ekspertëve të forenzikës informatike, inspektorëve tatimorë dhe kontabilistëve forenzikë.

Gjithashtu, nevojiten procedura të brendshme që do të shërbejnë si kritere për vlerësimin e punës së prokurorëve, me qëllim që të eliminohen të gjitha dyshimet për selektivitet të brendshëm”, theksoi prokurori i lartë Cvetanovski.

Me një vendim të tij të fundit, Cvetanovski u vu në kundërshtim me shefin aktual të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi. Ai e anuloi urdhrin për ndërprerjen e hetimit në rastin “Mazuti në TEC Negotinë”, një çështje me vlerë prej 67 milionë eurosh, duke urdhëruar përsëritjen e hetimit.

Cvetanovski ishte gjithashtu prokuror i lartë publik në rastin “Talir 2”, që lidhej me selinë partiake të VMRO-DPMNE-së dhe që përfundoi me aktgjykim lirues të formës së prerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër