Sundimi i ligjit vlen vetëm “herë pas here”

nga Xh M

Lubljanë, 31 janar – Eurodeputetja sllovene me origjinë maqedonase, Irena Joveva, pas një misioni dyditor në Sofje, ka publikuar një reagim të ashpër dhe të drejtpërdrejtë lidhur me gjendjen e sundimit të ligjit në Bullgari.

Në një postim në Facebook, Joveva kritikon ashpër institucionet bullgare, duke theksuar se problemi kryesor i vendit nuk është mungesa e ligjeve, por mungesa e përgjegjësisë. Reagimi i saj u nxit nga përgjigjja e ministrit bullgar të Drejtësisë në largim, i cili, i pyetur pse injorohet një vendim i qartë gjyqësor për paligjshmërinë e funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm, u përgjigj:

“Vendimet gjyqësore në Bullgari nuk injorohen… gjatë gjithë kohës.”

Sipas Jovevës, kjo fjali përmbledh në mënyrë brutale realitetin në Bullgari, ku sundimi i ligjit zbatohet në mënyrë selektive. Ajo rendit një sërë problemesh serioze që, sipas saj, e karakterizojnë sistemin:

Gazetarë që, në vend të informacioneve nga institucionet, përballen me padi.

Gjyqtarë, karrierat e të cilëve varen jo nga ligji, por nga besnikëria ndaj qendrave politike.

Pozita “të përkohshme” që zgjasin me vite, mandate që nuk përfundojnë kurrë dhe përgjegjësi që nuk fillon asnjëherë.

Shoqëri civile dhe organizata kundër korrupsionit që posedojnë dokumente, incizime dhe dëshmi, por pa asnjë epilog konkret.

Një sistem ku personat politikisht të padëshiruar përfundojnë lehtësisht në burg, ndërsa institucionet shtetërore dobësohen dhe çmontohen.

“Problemi në Bullgari nuk është mungesa e ligjeve, por mungesa e përgjegjësisë,” shkruan Joveva në reagimin e saj.

Ajo paralajmëron se raporti i misionit të grupit Renew Europe do të jetë i drejtpërdrejtë, pa zbukurime dhe i bazuar në fakte. Sipas saj, nëse do të jetë e nevojshme, do të pasojnë edhe masa nga Parlamenti Evropian dhe institucionet e BE-së.

“Jo për ta ndëshkuar Bullgarinë, por sepse askush nuk duhet të jetojë në një sistem ku ligji vlen vetëm ‘herë pas here’. Sundimi i ligjit nuk funksionon herë pas here. Ose funksionon… ose nuk funksionon fare,” thekson Joveva.

Postimi i saj është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale në Bullgari dhe në rajon, veçanërisht për shkak të tonit të drejtpërdrejtë dhe pa kompromis, si dhe për faktin se Irena Joveva është një nga eurodeputetet e rralla me origjinë maqedonase që flet hapur për gjendjen e sundimit të ligjit në vendet fqinje.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More