Shkruan, Lis Bukuroca
Lumir Abdixhiku dëshmoi se përgjegjësia politike nuk fitohet në zgjedhje, por në Kuvendin e partisë; jo nga qytetarët, por nga struktura partiake. Humbja e madhe nuk pati pasoja, ndërsa pasojat e mëdha u shndërruan në fitore të madhe. Faji u shpërnda, dështimi u shpërla me dyer të mbyllura dhe larg syve të votuesve.
Kështu, zgjedhjet u trajtuan si të parëndësishme; Kuvendi e shfajësoi Abdixhikun, korrigjoi popullin, dhe humbjen e shndërroi në fitore të madhe për humbësin.
E mesazhi për popullin?
„Ju nuk e doni, por ne e duam.
Asgjë e re.
Kokëfortësia, si tipar, do të vazhdojë edhe në vitin 2026. Kryetari i LDK-së është i bindur se duhet të fitojë më shumë në tryezë sesa në zgjedhje: të pyetet, të merret në konsiderim, thua se ka fituar shumicën.
Ai nuk e kupton hallin e vet dhe as përqindjen e votave të fituara nga qytetari. Në vend që të analizoheshin veprimet e vitit të kaluar: deklaratat, mendimet dhe qëndrimet që çuan në rënie, Abdixhiku, me ofrimin e dorëheqjes, i përplasi Kuvendit një problem tjetër.
Kështu, delegatët, në vend se të shqyrtonin pasojat e humbjes, u morën me rehabilitimin e humbësit, ku Abdixhiku dështimin e shndërroi në fat kolektiv, pa fajtorë konkretë.
Domethënë, Kuvendin e partisë e përdori dhe e keqpërdori si procedurë për të legalizuar dhe normalizuar rënien dramatike.
E partia?
LDK drejt varrimit.
Dje, më 31 janar, u zgjodh kortezhi dhe kryesuesi i tij.

