Editorial / Çka pas protestës ?

Nga B.M
1,353 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 maj, Zhurnal.mk – Studentët shqiptarë sot përsëri do të jenë mlidhen në Shkup për gjuhën shqipe të kufizuar në përdorim nga autoroitet e vendit.

Por kësaj here, kërkesat nuk përmbyllen vetëm për provimin e jurisprudencës të ndaluar deri më tash në gjuhën shqipe.

Studenti i juridikut dhe krye-protestuesi Mevlan Ademi javën e kaluar shpalosi para publikut se me të njëjtin problem po përballen edhe krejt studentët e tjerë shqiptarë të degëve të tjera për licenat e tyre të punës pas studimeve.

Protesta e sotme, në prag të saj, është përkrahur nga shqiptarë të vendeve fqinje e në diasporë me një jehonë më të madhe sesa ajo a 6 prillit.

Arsyet e protestës së dytë

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë për herë të dytë këtë vit në rrugët e kryqytettit për shkak të moszbatimit të së drejtës kushtetuese dhe ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore para së të fillojnë karrierën e tyre profesionale.

Mevlan Ademi javën e kaluar shpalosi se tashmë protestat janë edhe për studentët e psikologjisë, mjekësisë, arkitekturës, ekonomisë, e kështu me radhë.

Ai madje tha se tash dimensioni i protestave të tyre kapërcen edhe telashet e studentëve, e ka të bëjë me problemet me gjuhën shqipe në tërësi që hasen përditë e gjidhandej në administratën shtetëtore të dominuar nga maqedonasit.

Përtej një kërkese praktike për provime, studentët e shohin protestën si një betejë për barazi, dinjitet dhe respektim të të drejtave gjuhësore në një shtet shumëgjuhësh e shumëetnik. 

Në këtë kuptim, protesta e tyre sfidon pretendimet e politikanëve vendorë për integrimin, barazinë dhe funksionimin e demokracisë së brishtë në Maqedoninë e Veriut e po aq shpalos në horizont gjendjen e dobët të marrëdhenive ndëretnike.

Çfarë thonë Mickoski dhe VLEN-i?

Kryeministri Hristijan Mickoski, javën e kaluar ritheksoi atë që po e thotë tash e më shumë se dy muaj. Ai kërkoi durim nga studentët shqiptarë, duke premtuar një zgjidhje të “shpejtë” për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, ndërsa njëkohësisht i ka akuzuar partitë opozitare shqiptare për politizim dhe tentim destabilizimi. 

Edhe VLEN vazhdon që të akuzojë BDI-në se po fshihet pas protestave të studentëve.

Të dielën dy bashkëkryetarët e VLEN-it Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami e thanë të njëjtën po ashtu, se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe ”së shpejti”.

Premtimet tash për tash përmbyllen në provimin e jurisprudencës, edhe pse studenti Ademi zgjerimin e arsyeve të protestës së sotme e parajmëroi më herët gjatë javës.

Efekti i protestës dhe reagimi në pritje i qeverisë

Mbështetje paraprake ndaj protestës së sotme ka pasur nga gjitha trevat shqiptare e Diaspora dhe ajo  pritet të jetë masive.

Por, më e rëndësishme se kjo është fakti nëse masiviteti i protestës dhe këmbëngulja e studentëve do të arrijë që t’i nxisë qeveritarët për të vepruar me hapa konkret dhe jo me zvarritje të procesit si edhe deri më tash.

Nëse opozita, siç akuzon pushteti, po i përdorë studentët për destabilizimin e vendit, është koha dhe momenti që pushteti të parandalojë një gjë të tillë duke ofruar zgjidhje konkrete pa ndonjë vonesë shtesë.

Prandaj, para se tensionet në rritje të marrin dimensione të tjera është e nevojshme që qeverisja aktuale të gjejë zgjidhje të menjëhershme dhe afatgjate për hallet e studentëve dhe krejt shqiptarëve të tjerë për gjuhën shqipe – të grumbulluara ndër vite – dhe e cila ashtu siç e thekson edhe krye-protestuesi student Mevlan Ademi ende është e kufizuar në përdorim gjithandej nëpër administratën shtetërore. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër