Ekskluzive / Mexhiti e Kasami merren vesh me Mickoskin për plotësime të “shpejta” të ligjit për gjuhët për krejt provimet për licencat në shqip

Nga B.M
611 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 Maj, Zhurnal.mk – Krerët e VLEN dhe kryeministri i vendit sot në një takim urgjent janë pajtuar që të nisin punën pa vonesë për plotësime të nevojshme në ligjin për përdorim të gjuhëve për të precizuar tekstualisht e mundësuar hyrjen në krejt provimet e licencave të profesioneve përkatëse për studentët shqiptarë edhe në gjuhën shqipe, mëson Zhurnal.mk.

Burimet e afërta nga ky takim thanë për Zhurnal.mk se Izet Mexhiti, Bilall Kasami e Hristijan Mickoski janë pajtuar njëzëri në takimin e sotëm që strukturat përkatëse qeveritare zgidhjen afatgjate e gjithpërfshirëse të bëjnë përmes zgjerimit të ligjit në fjalë, në përgjigje të situatës së tensionuar në vend dhe kërkesave të drejta të studentëve shqiptarë, të cilët sot do të protestojnë për herë të dytë këtë vit për hyrje në provimet për licenca profesionale në gjunë shqipe, pos atij të jurisprudencës.

Sipas të njëjtave burime, me ndryshimet e ardhshme në ligj do të përfshihen të gjitha degët e provimeve, ai i jurisprudencës, përmbaruesëve, noterëve…e kështu me radhë, deri tek krejt provimet e degëve të tjera të krejt fakulteteve për studentët shqiptarë.

Ndërkohë mbetet ende për t’u mësuar se kur do të hartohet versioni qeveritar i propozimit të parë e miratimit të tij nga qeveria, para se të dërgohet në kuvendin e vendit.

Mbetet po ashtu e panjohur nëse i njëjti do të dërgohet për mendim edhe në Komisionin e Venedikut të Këshillit të Evropës, ashtu siç edhe pat premtuar më herët Mickoski. //Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër