Pozita e Kryeprokurorit, Kallajxhiev: Kandidatë inkurajues japin shpresë për drejtësi

nga Xh M

Shkup, 1 shkurt – Situata rreth përzgjedhjes së kandidatëve për funksionin e Kryeprokurorit të shtetit është inkurajuese dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë jep shpresë reale për ndryshim. Kështu vlerëson profesori universitarë i së drejtës penale, Gordan Kallajxhiev. Sipas tij në këtë proces ka disa kandidatë formalë dhe disa të jashtëm, por edhe emra seriozë që gëzojnë respekt të gjerë profesional.

Ai vlerëson se disa kandidatura objektivisht nuk kanë shanse reale, ndërsa thekson se gara reale zhvillohet mes disa emrave që njihen për integritet, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj së drejtës.

Sipas tij, është sinjal pozitiv edhe fakti që nuk është imponuar një kandidat i hapur partiak, por është lënë hapësirë që të paraqiten kandidatë që gëzojnë besimin e profesionistëve.

“Sinqerisht, ishte befasuese për mua, sepse mendoja se VMRO-DPMNE, duke pasur parasysh mënyrën se si ka vepruar me zgjidhjet kadrovike në një ose dy vitet e fundit, do të shtynte përpara ndonjë kandidat të vetin të dukshëm. Por ja, lanë hapësirë që të paraqiten kandidatë që vërtet meritojnë respekt, dhe kjo është një shenjë e mirë.” – tha Profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.

Kandidatë serioz përballë sistemit të rrënjosur

Megjithatë, ai paralajmëron se nuk duhet të ketë pritshmëri joreale, sepse Prokuroria funksionon në një mjedis shumë kompleks, me struktura të rrënjosura, qendra fuqie dhe ndikime politike e ekonomike që nuk çmontohen lehtë.

“Mendoj se vetë fakti që janë paraqitur kandidatë të mirë, megjithëse e dinë se me çfarë vështirësish do të përballen, është inkurajues. Është inkurajues edhe për ne si shtet dhe për të ardhmen tonë të përgjithshme, sepse e dimë që kjo është një nga pikat tona të dobëta që ndikon drejtpërdrejt negativisht në eurointegrimet dhe në cilësinë e jetës shoqërore. Para se të zgjidhen, ata do të thonë cili është vizioni i tyre dhe si do të përballen me situatën, sepse vetëm integriteti personal dhe profesionalizmi nuk mjaftojnë, edhe pse janë një bazë e mirë fillestare. Ka disa pika kyçe ku duhet të punohet: të përballen me rezistencën ndaj çdo lloj ndikimi dhe të insistohet në respektimin konsekuent të ligjit në punën e përditshme”. – deklaroi Profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.

Asnjë individ, pavarësisht integritetit dhe profesionalizmit, nuk mund ta reformojë i vetëm të gjithë sistemin brenda një mandati, vlerëson Kallajxhiev.

Në listën e kandidatëve gjendet ushtruesja e detyrës së Kryeprokurorit, Anita Topolova-Isajllovska, më pas prokurorja Publike, Lençe Ristovska, Prokurorja me përvojë shumëvjeçare Lidija Raiçeviq, gjyqtari Nenad Saveski, dhe ish-kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More