Partia Demokratike dhe aleatët zhvillojnë sot protestën e tretë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë në orën 17:00. PD kërkon largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.
Kryetari i Partisë Demokratike e ka cilësuar situatën në vend si një nga më kritikët dhe ka theksuar se skenari i protestës së sotme është një “kryengritje të fuqishme paqësore”.
Në mesazhin e tij, Berisha kërkoi që qytetarët të bashkohen në bulevardet dhe rrugët e Tiranës, për të dërguar një mesazh të fuqishëm dhe dinjitoz për të kundërshtuar qeverinë dhe korrupsionin e saj.
Për të garantuar rendin publik dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit, policia ka ndërmarrë masa, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore. Sipas medieve, 1350 efektivë janë në terren.
Që prej orës 23:45 të ditsës së hënë, policia bllokoi lëvizjen dhe nuk u lejoi parkimin automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Nga ora 15:00 e ditës së sotme e deri në përfundim të tubimit, nuk lejohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Po ashtu, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
