Jurisprudenca në gjuhën shqipe/ Avokati i Popullit hapi lëndë me vetiniciativë

Nga B.M
420 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 shkurt –  Avokati i Popullit ka hapur lëndë me vetiniciativë për pengesën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Zëvendësavokatja e Popullit Sonja Trifunovska, deklaroi për Alsat se ata kanë kërkuar informata nga Ministria e Drejtësisë dhe Inspektorati i Gjuhëve lidhur me zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa deri javën e ardhshme institucionet në fjalë duhet të deklarohen.

“Nga Ministria e Drejtësisë si kompetente për zbatimin e provimit të jurisprudencës, kërkuam informatë se çfarë konkretisht sipas detyrës zyrtare ka ndërmarrë për zbatimin e obligimeve të theksuara në dispozitat e ligjit të përmendur. Përveç kësaj, nga Ministria gjithashtu kërkuam sqarim lidhur me rrethanat dhe çfarë dhe cilat masa dhe veprime janë ndërmarrë që të arrihet harmonizim me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, tha Sonja Trifunovska, Zëvendësavokate e Popullit.

Nga Ministria me të cilën udhëheqë Igor Fillkov gjithashtu kërkohet të japë të dhëna se sa kërkesa ka pasur për dhënien e provimit të jurisprudencës në shqip, ndërsa nga Inspektorati me të cilin udhëheqë Arsim Idrizi, të dhëna nëse kanë kryer inspektim për këtë çështje.

Megjithatë, qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë është i prerë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk mjafton për ta dhënë provimin në shqip. Kryeministri, ndonëse fillimisht deklaroi që Ligji për Gjuhët e lejon, gjatë ditës së djeshme tha se megjithatë duhet të bëhen ndërhyrje të tjera ligjore të cilat më pas duhet të dërgohen në Komisionin e Vencias për mendim. Nga koalicioni VLEN garantojnë se do ta zgjidhin çështjen.

“Qeveria ka kapacitet edhe studentët do ta kenë në gjuhën shqipe”, tha Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Për realizimin e kërkesës së studentëve shqiptarë, krahas partive shqiptare mbështetje ofroi edhe LSDM-ja./ Alsat.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër