Shkup, 11 shkurt – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti po ngre lartë vlerat e kulturës shqiptare pasiqë bashkë me stafin e tij dhe personalitete të ndryshme morën pjesë në shfaqjen premierë të operës “Goca e Kaçanikut”, vepra e parë kosovare e kompozitorit Rauf Dhomi, e cila u prezantua në skenën e Operës dhe Baletit Kombëtar në Shkup, në nder të pavarësisë së Kosovës, ngjarje kjo nën organizim të komunës së Çairit, shkruan Zhurnal.mk.
Mexhiti theksoi se si kryetar i komunës është i përkushtuar që në Çair të ngriten dhe të promovohen vlerat e kulturës, artit dhe trashëgimisë shpirtërore, duke mbështetur aktivitete që forcojnë identitetin dhe kujtesën kolektive.
Ai vlerësoi se kjo mbrëmje artistike bashkoi historinë, artin dhe kujtesën kolektive, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm që buron nga Kaçaniku dhe nga jeta e shqiptarëve ndër breza. Përmes muzikës dhe interpretimit skenik, u përcollën emocione që lidhen me qëndresën, identitetin dhe vlerat kombëtare.
Mexhiti shprehu mirënjohje të veçantë për Trupën e Operës dhe Baletit të Kosovës për interpretimin dinjitoz dhe për këtë mbrëmje të paharrueshme artistike, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë shpirtërore.

