Celibashi: Partitë politike të tejkalojnë dallimet për reformën zgjedhore

nga D. V.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi mori pjesë sot në takimin konsultues mbi Reformën Zgjedhore, me në fokus rolin e qytetarëve dhe të shoqërisë civile në procesin e hartimit, propozimit dhe miratimit të një legjislacioni të ri zgjedhor.

Takimi u organizua nga “Veprimi Qytetar”, iniciativë qytetare e përbërë nga aktivistë dhe profesionistë të angazhuar për ndërtimin dhe forcimin e një demokracie funksionale në Shqipëri përmes rritjes së pjesëmarrjes qytetare dhe promovimit të reformave institucionale me integritet.

Në panelin e diskutimeve, Celibashi solli në vëmendje rëndësinë e realizimit të reformës zgjedhore në kohë.

Sipas tij, zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2027 janë shumë afër dhe kryerja e reformës zgjedhore në momentin e fundit prodhon pasiguri dhe mosbesim të të gjithë aktorëve në proces.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se është rasti që partitë politike të tejkalojnë dallimet antagoniste që kanë dhe të punojnë për reformën zgjedhore.

“Është në interesin e partive politike edhe në interesin e qytetarëve, por edhe të KQZ-së si institucioni që merret me organizimin e zgjedhjeve, që rregullat e zgjedhjeve të jenë të qarta kohë përpara se procesi zgjedhor të zhvillohet”, theksoi Celibashi.

Gjithashtu, Celibashi shprehu gatishmërinë që KQZ ka dhe do të ketë për të bashkëpunuar ngushtë me të gjithë organizatat e shoqërisë civile për të patur produkt/propozime të përbashkëta me konsensusin e të gjithëve.

Gjatë diskutimeve, të pranishmit trajtuan disa nga çështjet që Reforma Zgjedhore duhet të adresojë, si: Financimi i partive politike; Veprimtaria e Institucionet Publike gjatë fushatave zgjedhore; Votimi dhe Numërimi Elektronik; Votimi nga Jashtë (Diaspora); Referendumet; Krijimi i rregullave të plota; Rishikim i Ligjit për Partitë Politike.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More