Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se paralajmërimet që vijnë nga Brukseli, janë një “karton i kuq” për qeverinë pas skandaleve të njëpasnjëshme.
Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se është u është mirënjohës partnerëve ndërkombëtarë që patën një reagim të shpejtë dhe të fuqishëm.
“Nuk mund të kishte reagim më emergjent dhe të fuqishëm, sesa Edi Rama të thirrej nga numri 1 i BE-së dhe t’i nxirrej kartoni i kuq. Nuk mund të kishte qëndrim më të prerë, sesa mëngjesi, takimi me ambasadorët e vendeve kryesore, ku në fakt nuk u la të dërdëlliste…I thanë të kemi thirrur për këto e këto. I thanë se: nuk tolerojmë në mënyrë absolute asnjë ndërhyrje, ky është mesazhi i Brukselit, në çështjet e drejtësisë, asnjë pengesë”, tha Berisha, ndërsa kërkoi shkarkimin e Ballukut.
Duke u ndalur te Konferenca e Sigurisë në Mynih, Berisha tha se dyert e Mynihut, në konferencën më kryesore në botë, u mbyllën për kryeministrin Rama.
Berisha tha se mediet më të mëdha në botë kanë pasqyruar revoltën, kryengritjen paqësore të 10 shkurtit.
“Merrni pak televizionin gjerman, se çfarë komenti dashamirës, mirëkuptim të plotë i bën protestës në 10 minuta emision. Merrni Fox News, në lajme kryesore me një shkrim të gjatë, shoqëron kryengritjen paqësore të opozitës. Merrni EuroNews, edhe 3 ditë pas jepte ‘No comment’-in më të gjatë, pasi kishte dhënë të gjitha lajmet. Pra, unë mund të them se, opinionin publik ndërkombëtar dhe zyrtar është totalisht në mbështetje të opozitës shqiptare, në mbështetje të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha tha se beteja e opozitës është kundër kryeministrit Rama, teksa kujtoi protestën e 20 shkurtit 1991.
“Më 20 shkurt të vitit 1991, qytetarët shqiptarë nën moton “Ta shporrim qelbësirën”, kaluan mbi tanke, autoblinda, mitraloza dhe në kryengritje paqësore përmbysën shtatoren e atit shpirtëror të Edi Ramës, që kishte varfëruar shqiptarët në shkallën më ekstreme, i kishte shtypur ata në mënyrën më mizore”.
“Qytetarët mbushin rrugët vetëm për Edi Ramën. Ata duan largimin e tij të menjëhershëm nga posti i kryeministrit si një uzurpator”, tha Berisha.
