Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Institucioni bën të ditur se, në rast se evidentohen luhatje çmimesh që tejkalojnë masën e ndryshimeve në bursat ndërkombëtare, do të ndërmerren masat e nevojshme sipas kompetencave ligjore.
Autoriteti sqaron se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, në varësi të faktorëve si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillimet ekonomike apo gjeopolitike. Për rrjedhojë, edhe çmimet në tregun vendas pritet të reflektojnë të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me ndryshimet e regjistruara në bursë.
Sipas institucionit, çdo devijim i pajustifikuar, përfshirë rritje të pakoordinuara ose më të shpejta se tendenca ndërkombëtare, mund të përbëjë tregues të sjelljeve jo konkurruese në treg.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se nuk do të tolerojë praktika që bien ndesh me parimet e konkurrencës së ndershme, përfshirë koordinimin e çmimeve, abuzimin me pozitën dominuese apo praktika të bashkërenduara mes operatorëve.
Me këtë proces monitorimi synohet garantimi i transparencës, funksionimi i rregullt i tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve nga çmime të padrejta. AK thekson se çdo veprim ndërmerret në përputhje me kompetencat e përcaktuara nga ligji për mbrojtjen e konkurrencës.
