Hasani: Shpërndarja e Kuvendit nga presidentja, përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues

Nga D. V.
702 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në një interviste për gazete Nacionale, ai ka thënë veprimi i presidentes Osmani paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit

Intervista e plotë:

Z. Hasani, sot presidentja dekretoi shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje? A është në përputhje me Kushtetutën ky dekret?

Hasani: Vetëm kur ekziston pajtimi i të gjitha partive politike mund të vijë deri te shpërndarja e Kuvendit si rrjedhojë e shkeljes së afatit tridhjetëditor. Asnjëherë ndryshe. Kështu ka ndodhur edhe vitin që shkoi, kur Kosova shkoi në zgjedhje pa Kuvend të konstituuar; pati një pajtim të heshtur të të gjithëve. Kjo siç u bë sot e ndryshon formën e pushtetit shtetëror nga sistemi parlamentar në sistem presidencial. Këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm amendamenti kushtetues.

Mënyra si u bë kjo paraqet përpjekje për përmbysje të rendit kushtetues, përpjekja më brutale deri tash pas pavarësisë së vendit.

A besoni se VV-ja do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese këtë dekret?

Hasani: Patjetër që ky dekret arbitrar duhet të kontestohet dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e fundit.

Nuk duhet të lejohet ky arbitraritet dhe kjo papërgjegjësi totale ndaj Kushtetutës.

Mbrëmë, pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ka nisur rrjedhja e afatit 60-ditor.

Gjykata duhet urgjent të vendosë masën e përkohshme për të penguar erozionin e mëtejmë të rendit kushtetues.

A duhet të diskutohet për datën e zgjedhjeve para vendimmarrjes së Kushtetueses?

Hasani: Dekreti i sotëm është tërësisht jokushtetues dhe prek themelet e formës së pushtetit shtetëror. Roli dhe pozita e Presidentit të Republikës është e qartë në Kushtetutën e Kosovës dhe ai nuk është sistem presidencial.

Si e keni parë bazueshmërinë kushtetuese në ankesën e LVV-së dhe kërkesën për masë të përkohshme të afateve për zgjedhjen e presidentit?

Hasani: Kërkesa e VV-së nuk është çështje kushtetuese dhe nuk ka objekt për shqyrtim kushtetues. Objekt shqyrtimi kushtetues mund të jetë vetëm dekreti skandaloz dhe tërësisht arbitrar e i papërgjegjshëm i zonjës Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, sepse me të janë tronditur themelet e rendit kushtetues më shumë dhe më thellë se çdoherë tjetër nga 17 shkurti 2008 e deri më sot.

çfarë pasojash juridike dhe kushtetuese ka moszgjedhja e presidentit dje?

Hasani:Asnjë pasojë juridike nuk ka mund të prodhojë dhe nuk prodhon shkelja e afatit tridhjetëditor.

Nëse gjatë kësaj kohe, gjatë periudhës 60-ditore, do të zgjidhej presidenti, kjo zgjedhje a do të ishte në përputhje me Kushtetutën?

Hasani: Jo. Sigurisht që jo. Por pasoja juridike nuk do të prodhonte, veçanërisht jo pasojën e dhënies së të drejtës Presidentit të Republikës për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës. Asnjëherë këtë të drejtë nuk e ka Presidenti i Republikës kur shkelet afati tridhjetëditor. Asnjëherë!

E gjithë çështja po sillet rreth nenit 82 dhe 86 të Kushtetutës. Disa juristë po e interpretojnë nenin 82, kurse disa nenin 86. Cili prej këtyre neneve vlen në këtë rast dhe pse?

Hasani: Asnjëri! Ata që flasin mbi bazën e këtyre dy neneve qartë shihet që nuk i kanë lexuar dy aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër