Shkup, 6 Mars, Zhurnal.mk – Qeveria e Maqedonisë së Veriut tashmë është në lëvizje për të plotësuar kushtet ligjore për të zbatuar roaming me vendet e Bashkimit Evropian, pas hapit të parë që ka nisur Komisioni Evropian muajin e kaluar.
Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, tha sot se ai beson se për procesin e përshtatjes së ligjit të ndërlidhur për të filluar zbatimin e roaming (qasjes telefonike dhe të internetit me të njëjtat kushte sikur në hapësirën e vetme të territorit të BE-së) autoritetet vendore do të jenë të parat në përmbushjen e këtij kushti.
“Pres që ky tekst i përgatitur, i miratuar nga qeveria dhe i dërguar te BE-ja, pas marrjes së komenteve të Komisionit Evropian, të dërgohet në Kuvend dhe të miratohet, që do të thotë se do të jemi vendi i parë në rajon që përmbush kushtet për ‘Roaming si në shtëpi’,” ka deklaruar sot ministri.
Para dhjetë ditëve Komisioni Evropian (KE) tha se ka kërkuar autorizim nga shtetet anëtare të BE-së për të nisur negociata dypalëshe me gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor për të zgjeruar roamingun e BE-së në rajon.
Pasi që marrëveshjet dypalëshe të finalizohen me secilin prej vendeve të rajonit, dhe pasi secili prej tyre të jetë në përputhje të plotë me rregullat e roaming-ut të BE-së, njerëzit që udhëtojnë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jenë në gjendje të bëjnë telefonata, të dërgojnë porosi me tekst dhe të përdorin internetin përmes telefonit pa tarifa shtesë për roaming, shpjegoi KE.
“Kjo do të thotë lidhje pa ndërprerje me tarifa të brendshme jo vetëm për qytetarët dhe bizneset nga Ballkani Perëndimor që vizitojnë BE-në, por edhe për udhëtarët e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja do ta bëjë më të lehtë dhe më të përballueshme për njerëzit dhe kompanitë në të dyja anët të qëndrojnë në kontakt ndërsa janë jashtë vendit për studime, punë ose pushime”, thuhet në njoftim e 25 Shkurtit të KE-së.
Ministri beson për përmbushje të shpejtë të kushteve për roaming me BE
944
Artikulli i mëparshëm
