Kurti dhe Kos flasin në telefon: Integrimi në BE mbetet prioritet kyç i Kosovës

Nga D. V.
826 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Gjatë komunikimit, siç njofton zyra e shtypit e Kryeministrit Kurti, palët kanë biseduar për zgjerimin dhe ecurinë e reformave të Kosovës drejt integrimit në Bashkmin Evropian.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë bisedës u theksua se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç i Qeverisë së Kosovës.

“Kryeministri nënvizoi rëndësinë e marrjes së statusit kandidat si hap të rëndësishëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti, lexohet në njoftim, theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pas miratimit të Planit të Rritjes, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë parashikuar një sërë hapash për zbatim, të ndërlidhur ngushtë me kalimin e ligjeve në Kuvend, që kapin vlerën rreth 90 milionë euro.”

Kurti dhe Kos, bëhet e ditur se folën edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, duke kujtuar faktin se Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

/Kosovapress/

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër