Shkup, 12 mars, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese edhe njëherë është bërë shkak për rritjen e tensioneve ndëretnike, kësaj radhe duke hedhur poshtë iniciativat që kontestonin disa nga ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtjet që mundësuan zbatimin e sistemit “Qytet i Sigurt”, por mbi të gjitha duke anashkaluar dhe mos pranuar që porositë për gjobat të dërgohen edhe në gjuhën shqipe, por vetëm në atë maqedonase dhe angleze. Kësaj radhe kanë reaguar edhe partitë shqiptare në pushtet, dhe ato në opozitë, që jep sinjal se për interes kombëtar dy kampet politike shqiptare mund të bëhen bashkë. Por, siç kishte shkruar “Zhurnal.mk” edhe më herët, Gjykata Kushtetuese me në krye kryetarin Darko Kostadinovski, edhe njëherë po bëhet shkak dhe vegël për të rritur tensionet dhe për të shkaktuar trazira politike e ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.
Kur tensioneve që shkaktohen nga qëndrimet e Kostadinovskit kundër gjuhës shqipe tek ky projekt i ri në fazën e parë të tij, iu shtohet edhe konflikti i cili po vazhdon ende për provimin e jurisprudencës për studentët shqiptarë, e për të cilin Ministri i Drejtësisë Igor Filkov nuk po lejon që të bëhet në gjuhën shqipe, situata bëhet edhe më e tensionuar.
Kostovski nënçmoi shqipen: “Qyteti i Sigurt” është projektuar për të njohur veturat dhe jo një gjuhë!
Para gjyqtarëve kushtetues ishin paraqitur tre iniciativa. Dy erdhën nga krahët e Aleancës për Shqiptarët, njëra e udhëhequr nga Zijadin Sela dhe tjetra nga Arben Taravari, ndërkohë iniciativa e tretë u paraqit nga juristi i ri Ylli Paçuku.
Në përmbledhje, ata sqaronin se sistemi nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, domethënë se zbatohet vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, si dhe në korridoret 8 dhe 10, se ndryshimet ligjore janë në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve sepse nuk parashikojnë që mesazhet e dërguara nga “Qyteti i Sigurt” tek qytetarët për një vepër penale të bëhet në dygjuhë, domethënë ato dërgohen vetëm në maqedonisht.
Përveç kësaj, krahu i Aleancës së Zijadin Selës vuri në dukje gjithashtu se gjobat mbërrijnë përmes mesazheve dhe se sipas tyre, nuk ka detyrim ligjor që qytetarët të kenë një telefon celular ose email.
Gjatë mbledhjes së djeshme të gjykatës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, duke folur për ankesat e palëve, tha, ndër të tjera, se “Qyteti i Sigurt” është projektuar për të njohur një veturë dhe targat e veturave, dhe jo një gjuhë.
Ai shtoi se porosia drejtuar qytetarëve për shkeljet në komunikacion duhet që të jetë në gjuhën maqedonase, sepse siç tha ai ajo është gjuha zyrtare dhe kjo është e drejtë dhe detyrë e të gjithë qytetarëve që ta dijnë këtë gjuhë. Ai gjithashtu tha se është mirë që porositë të jenë edhe në gjuhën angleze, sepse edhe një i huaj mund të kryejë një kundërvajtje.
“Mjafton që porosia të jetë në maqedonisht dhe anglisht. Ai sistem nuk regjistron një person, por një automjet. Pastaj do të përdorë gjuhën shqipe në të gjitha fazat e procedurës”, tha Kostadinovski.
Sa i përket detyrimit për të pasur një telefon celular ose email, ai tha se nëse dikush ka veturë duhet të ketë edhe numër të celularit dhe adresë të e-mailit, pasi siç tha ai “jetojmë në një kohë moderne”.
Reagime nga VLEN dhe BDI!
Menjëherë pas këtij vendimi dhe këtyre deklaratave përbuzëse nga ana e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kanë reaguar partitë shqiptare, edhe ato që janë në pushtet dhe ato që janë në opozitë.
Ministri i Ekonomisë nga radhët e VLEN-it, Besar Durmishi ka porositur Kostadinovskin që të mos merret me politikë ditore, por ta mbrojë Kushtetutën, ndërsa kujtoi se përdorimi i gjuhës shqipe është e garantuar me Kushtetutë.
“Përveç gjuhës maqedonase, sipas kushtetutës gjuhë zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20% e qytetarëve, pra gjuha shqipe. Prandaj as kryetari i gjykatës kushtetuese dhe askush tjetër nuk mund ta mohojë këtë të drejtë, as ta interpretojë kushtetutën ashtu siç dëshiron ai. Ne do të bëjmë betejën tonë brenda Qeverisë, brenda Ministrisë së Brendshme”, tha Durmishi.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një kumtese ka reaguar ndaj deklaratave skandaloze dhe të papranueshme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese
BDI tha se me qëndrimet e tij të djeshme dhe me një seri vendimesh gjatë dy viteve të fundit, Kostadinovski ka dëshmuar se ky institucion është shndërruar në një mjet politik për të minuar çdo arritje që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
“Deklaratat e tij për çështjen e projektit “Safe City”, sipas të cilave porositë SMS duhet të dërgohen vetëm në maqedonisht, ndërkohë që mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, përbëjnë një akt të hapur diskriminimi dhe një shkelje të rëndë të frymës dhe të vetë Kushtetutës së shtetit. Me këtë veprim, kryetari i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm që tejkalon kompetencat e tij, por ndërhyn brutalisht në rendin juridik dhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend,” thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së, e cila kërkon dorëheqje të menjëhershme të këtij gjyqtari i cili ndanë të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim.
Reagime për deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese ka pasur edhe nga politikanë tjerë, figura publike, opinionistë që i konsiderojnë këtë veprime të shëmtuara, diskriminuese dhe skandaloze, shkruan “Zhurnal.mk”
Gjykata Kushtetuese – burim i tensioneve politike ndëretnike – partitë shqiptare të bashkohen për të mbrojtur shqipen!
Me vendimin e fundit për të mënjanuar gjuhën shqipe nga projekti “Qyteti I Sigurt”, edhe një herë u dëshmua se gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk në këtë gjykatë u mbivotuan. Kjo ka rikthyer praktika që i kujtojnë opinionit publik kohët më të errëta të viteve të nëntëdhjeta, kur cënoheshin të drejtat e shqiptarëve.
Pasi Darko Kostadinovski u zgjodh kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë filloi të hapë plagë të vjetra.
Fillimisht ai inicioi procedurë për ta shfuqizuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, e cila procedurë ende nuk ka përfunduar, por mbahet si mjet për të nxitur tensione ndëretnike sa herë që politika ka nevojë, dhe pika e dytë ishte heqja e “balancuesit”, mjetit për punësim bazuar në përkatësinë kombëtare në institucionet shtetërore. Për këtë të fundit, qeveria dhe VLEN kanë pohuar se kanë formuar ligj të ri, por ende ky nuk ka hyrë në fuqi.
“Zhurnal.mk” shkroi ditë më parë se kjo gjykatë po krijon tensione të vazhdueshme, ndërsa rast i fundit ishte pranimi i iniciativës për të hequr emrat shqip nga rrugët e Tetovës.
Duke i parë të gjitha tenativat e kësaj gjykate, është koha e fundit që partitë shqiptare, qoftë në pushtet ose në opozitë, të jenë të bashkuara kur bëhet fjalë për interesin kombëtar shqiptar. E sidomos tek gjuha shqipe, të gjithë duhet të jenë të bashkuar, sepse ky ligj, edhe pse nuk e bën gjuhën shqipe plotësisht të barabartë me maqedonishten, megjithatë është bërthama e identifikimit të kombësisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Edhe Kryeministri Hristijan Mickoski, duhet ta ketë parasysh se bashkëjetesa ndërtohet duke respektuar të gjitha palët, andej çdo veprim tjetër e dërgon Maqedoninë e Veriut në drejtime të panjohura politike.
Në këtë pikë, edhe ndërkombëtarët, që në njëfarë mënyrë janë garantues i sigurisë dhe integritetit territorial dhe “Marrëveshjes së Ohrit”, duhet të shprehin shqetësimin e tyre dhe të ngrenë zërin që gjuha shqipe dhe të drejtat që janë fituar nga shqiptarët, mos të nëpërkëmben, por të respektohen. Gjithkund në botë dhe në sistemet juridike është e qartë se një e drejtë e fituar njëherë, nuk mund të kthehet mbrapsht.
Sidomos tek gjuha shqipe, të gjitha partitë shqiptare nuk guxojnë të “lëshojnë pe”. Nëse tani ka përçarje, në çdo vendim tjetër shqiptarët do të margjinalizohen dhe nuk do të merren parasysh kërkesat dhe veprimet e tyre, shkruan “Zhurnal.mk”.
