A është korridori 8 një projekt i pandalshëm drejt Shqipërisë, apo një projekt i hapur ndaj „devijimeve strategjike“?

Nga I.A
1.7K e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 mars – Debati i fundit mbi Korridorin 8 ka nxjerrë në pah tensionet e brendshme politike dhe dilemat strategjike që shoqërojnë projektet madhore infrastrukturore siç është korridori 8. Derisa opozita ngrit dilemën shqetësuese sa i përket devijimit të këtij projekti dhe shkurtim të fondeve, pushteti ka demantuar se ka shkurtim të buxhetit për këtë projekt. Nga ana tjetër nga ambasada amerikane në prononcim për media vendore nuk kanë shprehur qëndrim pro as kundër, përgjegjësinë e kanë delguar te kompania private Bechtel. Por, ku qëndron e vërteta mbi këtë debat? shkruan Zhurnal.

Korridori 8 mes akuzave të opozitës për devijim nga Shqipëria drejt Greqisë dhe demanteve nga pushteti –

Debati i fundit mbi Korridorin 8 ka nxjerrë në pah tensionet e brendshme politike dhe dilemat strategjike që shoqërojnë projektet madhore infrastrukturore. Lideri opozitar shqiptar, Ziadin Sela, duke iu bashkuar akuzave të mëhershme të BDI-së, ka ngritur pretendimin se qeveria aktuale po tenton të devijojë trasenë e planifikuar të Korridorit 8 nga lidhja me Shqipërinë drejt një orientimi të ri përmes Ohrit e Manastirit, duke e integruar me Korridorin 10d dhe për rrjedhojë me Greqinë.

Sipas Selës, qeveria e Hristijan Mickoskit po përdor mjetet financiare si presion ndaj kompanisë Bechtel-Enka, për të ndryshuar drejtimin e projektit. Ai paralajmëroi se ky devijim do të përjashtonte rajonet e Pollogut  Tetovën, Gostivarin, Kërçovën dhe Strugën nga përfitimet e Korridorit 8, duke përsëritur një praktikë të cilën e cilësoi si të vazhdueshme gjatë dy dekadave të fundit. Në këtë narrativë, devijimi shihet jo vetëm si çështje teknike, por si një padrejtësi politike dhe rajonale.

Qeveria reagoi menjëherë përmes zëvendësministreshës së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila hodhi poshtë pretendimet për reduktim të fondeve. Ajo publikoi të dhëna konkrete mbi 60 milionë euro tashmë të lëshuara gjatë vitit aktual, pjesë e një buxheti prej 103 milionë eurosh të parashikuar për vitin 2026 për Korridorin 8 dhe Korridorin 10d. Sipas saj, kjo është dëshmi se projekti po ecën sipas planit financiar dhe operacional, pa asnjë ndërprerje.

Megjithatë, Zekolli-Shaqiri pranoi se segmenti i fundit i Korridorit 8 ai që lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë mbetet i pezulluar për shkak të shqyrtimit nga UNESCO, pasi trasa e planifikuar kalon pranë zonave të mbrojtura të Liqenit të Ohrit. Ky element teknik e juridik e komplikon narrativën politike, duke e bërë të qartë se vendimmarrja nuk është vetëm në dorën e qeverisë, por edhe të institucioneve ndërkombëtare.

E pikërisht kjo situatë i shërben më shumë dilemave që kanë të bëjnë me faktin që nëse UNESCO konfirmon kufizimet për segmentin pranë Ohrit, qeveria do të detyrohet të gjejë alternativa. Por cilat janë këto alternativa mbetet të shihet, edhe pse nga pushteti thonë se lidhja me Shqipërinë mbetet “prioritet i panegociueshëm”. 

Pse është i pandalshëm korridori 8 ?

Korridori 8 është projekt i një rëndësie të veçantë për rajonin, sepse lidh Adriatikun me Detin e Zi dhe krijon një bosht të ri ekonomik e gjeopolitik. Çdo devijim i tij, qoftë për arsye teknike apo politike, ngjall dyshime për orientimin strategjik të vendit a do të mbetet i fokusuar në lidhjen me Shqipërinë dhe përmes saj me Mesdheun, apo do të kërkojë një integrim më të fortë me Greqinë përmes Korridorit 10d?

Ajo që e bënë të pathyeshëm e të pandalshëm këtë projekt janë tre dimensione që nëse respektohen deri në fund nuk ka hapësirë për asnjë devijim.

Dimensioni gjeopolitik ndërlidhet me atë që korridori 8 është pjesë e hartës së re të sigurisë dhe komunikimit në Ballkan. Ai shërben si kundërpeshë ndaj korridoreve të tjera që favorizojnë interesa të ndryshme rajonale.

Dimensioni ekonomik ka të bëjë me lidhjen e porteve të Durrësit dhe Burgasit krijon një arterie të re tregtare, duke gjeneruarinvestime, transport më efikas dhe rritje të konkurrueshmërisë së rajoneve të përfshira.

Dhe, i fundit është edhe dimensioni politik pasi projekti është i mbështetur nga aleatë ndërkombëtarë, çka e bën të pamundur që një qeveri vendore ta ndalë apo ta zbehë, e aq më pak ta devijojë rrugën apo lidhjen e këtij projekti. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër