Tiranë, 1 prill, Zhurnal.mk – Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi sot të kërkojë ngritjen e komisionit hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi bëri të ditur sot se objekt i punës së komisionit është edhe vlerësimi i sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, përfshirë analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Bardhi theksoi se “kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik”.
“Si një e drejtë kushtetuese e opozitës, apelojmë mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të mos pengojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie”, u shpreh Bardhi.
