Rama në spitalin e Lezhës: Problem menaxhimi, autonomia financiare bazë motivuese

Nga D. V.
366 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot Spitalin e ri Rajonal të Lezhës ku zhvilloi një bisedë me drejtuesit e bluzave të bardha.

Tiranë, 8 prill Zhurnal.mk – I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala kryeministri Rama u njoh nga afër me investimet në këtë spital, ku së fundi është përfshirë edhe shërbimi i kimioterapisë.

Ministrja Sala informoi se spitali është rikonstruktuar në vitin 2025 dhe është i pajisur me teknologji bashkëkohore.

“Gjithashtu është krijuar një shërbim i dedikuar për sëmundjet infektive për të sjellë shërbime të specializuara jo vetëm në qytet, por në gjithë qarkun e Lezhës. Po punojmë që ta zbatojmë në të gjitha spitalet rajonale. Në kuadër të planit tonë të shërbimit onkologjik edhe këtu në Lezhë, në spitalin rajonal, kemi shërbimin e kimioterapisë me të njëjtat standarde dhe protokolle si në QSUT”, tha Sala.

Ministrja u ndal te rritja e rrogave nga e cila përfitojnë rreth 22 mijë mjekë dhe infermierë në mbarë vendin.

Sala theksoi se po shikohet mundësia që me investimet e vitit 2027 të ndahet në një ambient më vete shërbimi ambulator në spitalin e Lezhës.

Rama vlerësoi këtë nismë ndërsa u shpreh se çdo spital që mban edhe ngarkesën e ambulatorit të përgjithshëm mbingarkohet dhe ka mungesë përqendrimi të imponuar nga flukset e ditës.

Po ashtu kryeministri theksoi se decentralizimi i shërbimit onkologjik dhe krijimi i bërthamave të shërbimit dhe të terapisë në spitalet rajonale është diçka fantastike, sepse sjell shërbimet pranë njerëzve.

Kryeministri informoi se me rishikimin e buxhetit në qershor në kategorinë e mjekëve specialistë do të përfshihen edhe mjekët e urgjencës.

Rama theksoi se rritja e pagave ka qenë domethënëse për shkak se rritja ekonomisë ka qenë e tillë.

“Tani kemi më shumë mundësi edhe për mësuesit dhe punonjësit e policisë dhe Forcave të Armatosura. Besoj se do të kemi mundësi prapë në vijim të rrisim pagat”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi veçanërisht shërbimin që ofrohet në spitalin e Lezhës, për të cilin theksoi se nuk ka pasur asnjë ankesë.

Sipas tij, Shqipëria ka mjekë shumë të mirë por problem mbetet menaxhimi.

“Nuk e kemi traditën e menaxhimit të spitaleve si bota. Polonia ka bërë një super transformim duke marrë menaxhim nga jashtë. E kemi diskutuar për spitalin ‘Nënë Tereza’ dhe  është kyç që brenda një spitali të ndërtohet një spital privat për mjekët e atij spitali. Në këtë mënyrë mjekët kanë spitalin si vendin ku janë bashkëpronarë dhe marrin të ardhura sipas performancës”, tha Rama.

Në këtë drejtim, Rama theksoi se autonomia financiare nuk zgjidh gjithçka por krijon një bazë shumë inkurajuese dhe motivuese.

Kryeministri theksoi se një tjetër hap që duhet të merret në vijim është edhe vendosja e tarifave për turistët e huaj.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër