Studenti Ademi i përgjigjet kryetares Siljanovska-Davkova për gjuhën shqipe

Nga D. V.
613 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 Prill, Zhurnal.mk – Studenti i juridikut Mevlan Ademi, sot ka reaguar rreptë ndaj kryetares së vendit Gordana Siljanovska-Davkova e cila mbrëmë nuk e përkrahu kërkesën e studentëve shqiptarë për provim të jurisprudencës në gjuhën amtare.

Kryetarja e cila është juriste me profesion, u arsyetua se përdorimi i gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës mund të ketë “rreziqe”.
““Nuk mund të ketë një komision për kandidatët maqedonas dhe një tjetër për kandidatët shqiptarë. Kjo është e pamundur dhe përvojat krahasuese tregojnë se mund të çojë në rreziqe”, tha ajo për TV 21.
Ajo u deklarua kundër përdorimit të dygjuhësisë në proceset gjyqësore poashtu.

Por Mevlan Ademi ia kujtoi asaj se përdorimin e gjuhës amtare në provimin e jurisprudencës e kanë të drejtë të garantuar studentët në Finlandë, Zvicër e Belgjikë.
Ademi tha se Siljanovska-Davkova po deformon çështjen tek publiku dhe e ftoi atë të mos bëjë një gjë të tillë.
“Mos e deformoni opinionin publik!,” iu kundërvy studenti Ademi kryetares së vendit.

“Një juriste me përvojë duhet ta di shumë mirë se e drejta nuk mund të kufizohet në një gjuhë të vetme. Praktika ndërkombëtare e dëshmon qartë:
Në Finlandë, provimi i jurisprudencës zhvillohet në dy gjuhë: finlandisht dhe suedisht.
Në Zvicër, kandidati zgjedh vetë gjuhën në të cilën testohet.

Në Belgjikë, sistemi funksionon me procedura të ndara sipas gjuhës: flamane ose frënge,” tha përmes një reagimi në Facebook ai.
Ai iu kundërvy asaj edhe për qëndrimin e saj kundër përdorimi të gjuhës shqipe në gjykata.

“Nëse argumentohet se përkthimi në maqedonisht mund të shtrembërojë kuptimin, atëherë ky rrezik është i njëjtë për çdo gjuhë. Po qytetari shqiptar që nuk e zotëron maqedonishten, a nuk vendoset në disavantazh? 🤔 Nëse shqetësimi është cilësia e përkthimit, zgjidhja nuk është kufizimi, por funksionimi i plotë i sistemit edhe në gjuhën shqipe, nga provimi i jurisprudencës deri te procedurat gjyqësore. Nuk jemi përjashtim. Shtetet shumëgjuhëshe funksionojnë mbi parimin e barazisë reale, jo të kufizimit. Dhe pikërisht aty qëndron zgjidhja,” tha Ademi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër