Uashington, 15 prill Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump ka vlerësuar se kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Peter Magyar, do të bëjë një punë të mirë.
Më parë Trup kishte mbështetur fuqishëm paraardhësin e tij, Viktor Orban.
“Mendoj se kryeministri i ri do të bëjë punë të mirë, është një njeri i mirë”, deklaroi Trump për gazetarin Jonathan Karl, i cili publikoi deklaratat e tij në rrjetin X.
Peter Magyar premtoi të hënën se do të bëjë gjithçka për të garantuar një epokë të re në Hungari, një ditë pas fitores së thellë të partisë së tij Tisza në zgjedhjet parlamentare, përballë partisë Fidesz të liderit nacionalist, Orban i cili kishte dominuar vendin për 16 vjet.
Administrata e presidentit Trump kishte shprehur hapur mbështetjen për Orbanin dhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance madje kishte udhëtuar në Budapest për të bërë fushatë në krah të tij.
Ai u shpreh të hënën i trishtuar për humbjen e tij, duke siguruar megjithatë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë shumë mirë me pasuesin.
Sipas gazetarit të ABC, Donald Trump tha se nuk e di nëse prania e tij, në vend të asaj të JD Vance, do të kishte bërë diferencën për Viktor Orbanin.
”Ai ishte shumë prapa në sondazhe dhe këtë herë nuk u përfshiva. Viktor është një njeri i mirë, gjithsesi”, tha Trump.
