BDI kritikon qeverinë dhe presidencën për mos-zbatim të ligjit për gjuhët

Nga B.M
196 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 Prill, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrime (BDI) sot kritikoi qeverinë dhe presidencën për mos-zbatim të ligjit të gjuhëve kur është fjala për aktet publikuara nga këto dy institucione në gazetën zyrtare të vendit në vitin e kaluar.

Kritika e BDI bëhet pas një publikimi të tabelave nga gazeta zyrtare që bëri dje deputeti i VLEN, Adnan Azizi, për disa institucione të vendit për të njëjtën çështje e në të cilat vërehet një dallim midis akteve të publikuara në gazetën zyrtare nga kuvendi në njërën anë, e qeveria dhe presidenca në anën tjetër.

Sipas këtyre tabelave, kuvendi nga aktet e publikuara të tij në gazetën zyrtare nga 50 akte i ka që të gjitha të publikuara edhe në gjuhën shqipe, pra një realizim me 100%.

Por të dhënat thonë ndryshe për qeverinë dhe zyren e presidencës, dhe aty në tabela të gazetës zyrtare thuhet se nga 178 akte të qeverisë e 12 nga zyra e presidencës, asnjë nuk është botuar në gjuhën shqipe në gazetën zyrtare, pra zero %.

Në reagimin e sotëm BDI, foli vetëm për të dhënat për qeverinë e presidencë, por jo edhe për ato të kuvendit.

“Postimi i djeshëm i VLEN i cili tentoi të paraqesë si sukses publikimin dygjuhësor të dokumenteve në Gazetën Zyrtare, përfundoi si dëshmi publike e moszbatimit të ligjit nga institucionet që ata vetë i drejtojnë. Gazeta Zyrtare nuk vepron mbi bazë dëshire politike, as mbi bazë vullneti të momentit. Ajo ka obligim ligjor që shpalljet t’i publikojë në dy gjuhë, sipas rendit juridik në fuqi. Pra, deputeti i vlen-it [Adnan Azizi] në përpjekje për t’u lavdëruar, në fakt promovoi zbatimin e një ligji që po e kontestojnë çdo ditë,” tha BDI në reagimin e saj.

“Edhe më rëndë, me vetë krahasimin që bëri me institucionet tjera, pranoi publikisht se shumë institucione nuk e respektojnë detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe. Kjo do të thotë se problemi nuk është interpretimi i ligjit. Problemi është moszbatimi i ligjit. Qeveria dhe Presidentja nuk mund të fshihen pas propagandës së deputetëve të tyre,” tha BDI duke bërë thirrje për respektim të plotë dhe të menjëhershëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga çdo institucion shtetëror, pa përjashtim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër