Kallëzim penal për keqpërdorim detyre, dy persona dyshohen për përfitime milionëshe në Shkup

Nga D. V.
264 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 Prill, Zhurnal.mk – Njësia për Korrupsion në kuadër të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Publike të Shkupit kundër dy personave nga Shkupi, të identifikuar si Z.D. (61) dhe B.B. (49), nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Sipas dokumentacionit zyrtar, i dyshuari Z.D., duke shfrytëzuar autorizimin e marrë nga Kryetari i Qytetit të Shkupit në vitin 2021, i ka mundësuar një subjekti juridik nga fshati Krushopek, me degë në Gllumovë, të përfitojë në mënyrë të paligjshme mbi 3.2 milionë denarë.

Ai dyshohet se ka nënshkruar një vendim për regjimin e komunikacionit, i cili i ka shërbyer kompanisë si bazë për kryerjen e kontrolleve teknike, edhe pse ishte në dijeni se kjo kompetencë i takonte Komunës së Sarajit dhe jo Qytetit të Shkupit.

Ndërkohë, ish-kryetari i Komunës së Sarajit, B.B., akuzohet se i ka mundësuar të njëjtit subjekt juridik përfitim pasuror prej mbi 42.8 milionë denarë.

Sipas hetimeve, gjatë periudhës tetor 2022 – mars 2023, ai ka miratuar dy vendime për regjimin e komunikacionit pa kryer mbikëqyrjen e nevojshme, duke lejuar përdorimin e dokumentacionit që nuk ishte në përputhje me Planin Urbanistik për fshatin Gllumovë.

Me këto veprime, dy të dyshuarit dyshohet se kanë shkelur dispozitat ligjore që rregullojnë vetëqeverisjen lokale, planifikimin urbanistik dhe ndërtimin, duke i shkaktuar përfitime të konsiderueshme një subjekti privat.

Rasti tashmë është në procedurë pranë Prokurorisë Publike të Shkupit, e cila pritet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm ligjorë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër