Berisha: Listë të hapur proporcionale kombëtare me synim bashkimin e opozitës

Nga D. V.
132 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 Prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se protestat e organizuara nga PD kanë qenë paqësore dhe se, sipas tij, gjatë 7 protestave kombëtare nuk është regjistruar asnjë polic i plagosur.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se, “ne jemi për protestë paqësore dhe vetëm paqësore”.

“Gjer sot, 7 protesta kombëtare më të fuqishme që ka njohur vendi, për shkak të karakterit paqësor, nuk ka një polic të plagosur”, u shpreh ai.

Berisha pretendoi gjithashtu se ndaj protestuesve janë përdorur mjete të ndryshme si gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për kontrollin e turmave.

“Në protestën e fundit janë përdorur helme me rrezik të lartë. Janë përdorur granata siç i patë, janë përdorur plumba gome, janë përdorur verbues ariu dhe helme të tjera toksike. Janë hedhur nga tarracat shishe molotov në mes të protestuesve. Me dëshmitarë të gjitha këto”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu theksoi se, protesta tjetër do të njoftohet shumë shpejt dhe sipas tij, “do jetë më madhështorja që ka njohur vendi”.

Berisha u ndal edhe te çështjet zgjedhore, duke bërë të ditur se opozita ka propozuar një sistem proporcional me lista të hapura në nivel kombëtar.

“Në zgjedhje, kemi ofruar listën e hapur proporcionale të pastër kombëtare me një prag të përcaktuar jo nga ne si PD, por parti tjetër. Në sistemin zgjedhor pra, me qëllimin më të mirë për një bashkim të opozitës, gjykoj se kemi bërë lëshimin maksimal dhe të drejtë”, tha Berisha.

Sipas tij, ky propozim është bërë me synimin për bashkimin e opozitës dhe është pranuar nga koalicioni që ai përfaqëson.

“Ky bashkim duhet të jetë mbi bazën e kontributeve reale të secilës parti. Dhe kjo shumë shpejt do konkretizohet. Ky propozim i tyre është shqyrtuar nga koalicioni ynë dhe është pranuar nga koalicioni”, tha Berisha.

Berisha shtoi se opozita synon krijimin e një fronti të gjerë politik kundër qeverisë.

“Urojmë që çdo forcë politike opozitare, e cila gjen aty të ndershmen dhe të drejtën, bashkimin mbi bazën e kontributit real. Të bashkohemi, të krijojmë një front të gjerë të përbashkët kundër kësaj qeverie për të kthyer votën e lirë dhe për të larguar nga pushteti Edi Ramën”, tha Berisha.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër