Shkup, 22 prill Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me një delegacion qeveritar, po qëndron për një vizitë zyrtare politike dhe ekonomike në Vjenë të Republikës së Austrisë.
Në kuadër të kësaj vizite, kryeministri Mickoski do të zhvillojë një takim me kancelarin e Republikës së Austrisë, Christian Stocker, ku do të bisedohet për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe për çështje të rëndësishme dhe aktuale që lidhen me Evropën dhe rajonin.
Pas takimit, kryeministri dhe kancelari austriak do të mbajnë fjalim në një forum biznesi përpara përfaqësuesve të shoqatave ekonomike të të dyja shteteve. Në këtë forum do të riafirmohet bashkëpunimi i shkëlqyer ekonomik dhe do të prezantohen mundësitë për investime të reja dhe thellimin e marrëdhënieve mes kompanive austriake dhe maqedonase.
Në përbërje të delegacionit qeveritar janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, si dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha.
