Tiranë, 29 prill, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kërkoi shfuqizimin e vendimit për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar të mërkurën ishte i pranishëm avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.
Para gazetarëve, mbrojtësi ligjor i Veliajt tha se është absurde që klienti i tij të penalizohet për shkak të një të pandehuri tjetër.
Ndreca theksoi se “është një standard i vendosur dhe i kalcifikuar në dy gjykata të shkallës së parë, ku pezullimi i afateve të paraburgimit bëhet edhe për arsye që nuk lidhen fare me personin nën akuzë. Kjo përkthehet në një zgjatje kolektive të afateve të paraburgimit, ku nga sjellja e një të pandehuri e pëson edhe një tjetër, çka në gjykimin tonë është antikushtetuese”.
Ai shtoi se do të ndiqen të gjitha shkallët kushtetuese.
“Ne do t’i ndjekim të gjitha shkallët deri në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg për të zhbërë këtë praktikë të kalcifikuar, e cila cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Arsyeja e dytë është këmbëngulja jonë për provat digjitale të pahapura. Kërkojmë që ato të mos preken pa prezencën tonë dhe të mos cenohet integriteti i provës, që na jep të drejtën të kundërshtojmë në Apel një proces të bazuar në prova të paadministruara nga vetë gjykata. Gjykata ka marrë vendim pa i shqyrtuar të gjitha provat”, tha Ndreca.
Vendimi për pezullimin u mor në dy seanca nga GJKKO, për shkak të mungesës së disa të pandehurve të tjerë. Veliaj e konsideron të padrejtë këtë vendim, duke argumentuar se ai ka qenë i përfaqësuar rregullisht në gjyq nga avokati i tij. Sipas tij, afatet e paraburgimit nuk mund të pezullohen për të gjithë të pandehurit.
Veliaj ndodhet në masën “arrest me burg” prej 10 shkurtit 2025 dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

