Dortmundi ende nuk ka marrë vendim për Diant Ramajn, e ardhmja e tij mbetet një enigmë

Nga D. V.
395 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Portieri kosovar Diant Ramaj po vazhdon të fitojë përvojë të rëndësishme në Bundesliga me Heidenheim, por e ardhmja e tij pas verës mbetet ende e paqartë.

Sipas mediave gjermane, situata e tij te Borussia Dortmund është e hapur në të gjitha drejtimet. Nuk përjashtohet as mundësia e një transferimi të përhershëm, pavarësisht se 24-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2029.

Ramaj u transferua nga Ajax Amsterdam te Dortmundi në fillim të vitit 2025 për rreth pesë milionë euro, por ende nuk ka debutuar me klubin verdhezi. Menjëherë pas transferimit, ai u huazua te Copenhagen, ndërsa këtë sezon po luan si i huazuar te Heidenheim.

Në aspektin sportiv, portieri ka pasur një sezon aktiv me rreth 30 paraqitje në ligë, duke fituar eksperiencë të vlefshme pavarësisht vështirësive të skuadrës së tij, e cila ka një nga mbrojtjet më të dobëta në kampionat.

Megjithatë, kthimi i tij në Dortmund nuk garanton rol titullari. Portieri kryesor i ekipit, Gregor Kobel, mbetet zgjedhja e parë, çka e bën të pamundur që Ramaj të pranojë një rol rezervë në këtë fazë të karrierës.

Performancat e tij kanë nisur të tërheqin vëmendje nga klube të tjera, megjithëse deri tani nuk ka oferta konkrete.

Vendimi përfundimtar për të ardhmen e tij pritet të merret gjatë afatit kalimtar veror, ku mund të përcaktohet nëse ai do të qëndrojë te Dortmund apo do të kërkojë një hap të ri në karrierë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër