Reagime të forta për ligjin e mineraleve, rrezik për pronën dhe mjedisin

Nga Xh M
829 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 maj Zhurnal.mk – Iniciativa qytetare Zdrava Kotlina ka reaguar ashpër pas miratimit të Ligjit të ri për mineralet në Kuvend, duke e cilësuar atë si një precedent serioz juridik dhe mjedisor.

Në një apel publik drejtuar presidentes Gordana Siljanovska Davkova, ata kërkojnë që ajo të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit dhe të përdorë të drejtën e vetos.

Sipas “Zdrava Kotlina”, problemi kryesor qëndron në dispozitat që u lejojnë koncesionarëve të minierave të fillojnë aktivitetet para se të zgjidhen plotësisht marrëdhëniet pronësore me pronarët e tokës.

Ata pretendojnë se kjo shkel të drejtën kushtetuese të pronës private dhe krijon pasiguri juridike, me rrezik për konflikte në terren dhe pasoja financiare për shtetin.

Aktivisti ekologjik Gjorgji Tanushev nga “Zdrava Kotlina” deklaron se ndryshimet e reja i lejojnë kompanitë të fillojnë gërmimet menjëherë pas marrjes së lejes së shfrytëzimit, pa u përfunduar më parë procedurat pronësore.

Iniciativa paralajmëron gjithashtu se ligji lehtëson ndjeshëm procedurat për hapjen e minierave në zona bujqësore dhe të banuara, duke rrezikuar mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht në rajonet e Strumicës, Vallandovës dhe Gjevgjelisë.

Sipas tyre, ligji është miratuar me nxitim dhe pa debat të mjaftueshëm publik, me dyshime për interesa politike dhe ekonomike në sfond. Ata theksojnë se çështja e minierave nuk duhet të shihet në mënyrë ideologjike, por si çështje e shëndetit, mjedisit dhe sundimit të ligjit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër