Tre policë nga Koçani dënohen me kusht për shpërdorim detyre

Nga B.M
664 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 maj, Zhurnal.mk – Gjykata Penale Themelore Shkup ka sjellë vendim të shkallës së parë, me të cilin tre policë nga Koçan janë shpallur fajtorë për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Kire Bogatinov dhe Goran Lazarov janë dënuar me nga një vit burg me kusht, ndërsa ish-komandanti i Stacionit Policor në Koçan, Aleksandar Temelkov, është dënuar me dy vjet burg me kusht.

Sipas vendimit, dënimet nuk do të ekzekutohen nëse të dënuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda katër viteve. As të akuzuarit dhe as avokatët e tyre nuk ishin të pranishëm në shpalljen e vendimit.

Gjyqtarja Lidija Petrovska theksoi se si rrethana lehtësuese janë marrë parasysh fakti që të akuzuarit nuk kanë dënime të mëparshme, kanë familje dhe se veprimet e tyre nuk kanë shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta lidhur me zjarrin në diskotekën “Puls”.

Megjithatë, gjykata konstatoi se ata i kanë kryer detyrat vetëm formalisht, pa kontroll real dhe pa verifikim të dokumentacionit. Si pasojë, nuk është hapur procedurë kundërvajtëse ndaj personave përgjegjës dhe është mundësuar përfitim pasuror.

Për Bogatinovin dhe Lazarovin u konstatua se gjatë kontrolleve në lokale nuk kanë verifikuar pronarin real të veprimtarisë dhe kanë futur të dhëna mbi bazë supozimesh. Ndërsa për Temelkovin, gjykata vlerësoi se, edhe pse kishte informacione të sakta për licencat dhe subjektin juridik, ai ka lejuar zhvillimin e procedurës kundër një subjekti joaktiv.

Të dënuarit janë të obliguar të paguajnë edhe shpenzimet gjyqësore në vlerë prej 7.000 denarësh secili. Kundër këtij vendimi lejohet ankesë në Gjykata e Apelit Shkup.

Në fjalët përfundimtare, Prokuroria kërkoi dënim për të akuzuarit, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e tyre, duke pretenduar se fajësia nuk është provuar.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër