Editorial / A do të ketë një ditë dritë për rastet e montuara si “Alfa”, “Monstra”…

Nga B.M
379 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 maj, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut vazhdon të mbajë një damkë të rëndë për rastet e kontestuara gjyqësore ndaj shqiptarëve. Edhe pse vendi synon anëtarësimin në Bashkimi Evropian, ende nuk është zbardhur plotësisht e vërteta për rastet e njohura si “Monstra”, “Alfa”, “Brodec”, “Sopoti” dhe të tjera. Shteti i së drejtës duhet të funksionojë dhe plagët e familjeve, të cilave të afërmit u vuajnë dënimet në burgje, kërkojnë mbyllje përmes drejtësisë, shkruan “Zhurnal.mk”.

Përkundër protestave, ende pa zgjidhje

Në Shkup, familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe raste të tjera kanë organizuar disa protesta, duke shprehur pakënaqësi ndaj punës së Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut, e cila, sipas tyre, nuk ka arritur të vërtetojë autorët e vërtetë të ngjarjeve.

Gjatë marshimeve janë dëgjuar thirrje si: “Pa drejtësi, nuk ka qetësi”, “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim” dhe “Drejtësi dhe Liri”.

Familjarët dhe një pjesë e opinionit publik pretendojnë se këto raste janë të montuara politikisht dhe se personat e dënuar nuk kanë lidhje me veprat për të cilat janë akuzuar, duke theksuar se ata nuk kanë qenë të prirur për akte të dhunshme apo terroriste.

Politika premtoi, por nuk realizoi

Ish-kryeministri Zoran Zaev, para se të merrte detyrën, kishte deklaruar se të akuzuarit në rastin “Monstra” janë të pafajshëm. Megjithatë, gjatë mandatit të tij, sipas kritikëve, nuk u ndërmorën hapa konkretë për zbardhjen e plotë të rastit.

Kritika të ngjashme adresohen edhe ndaj partive politike shqiptare, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, të cilat, ndonëse kanë premtuar drejtësi dhe zgjidhje, nuk kanë arritur të sjellin rezultate konkrete.

Rasti “Monstra” u trajtua edhe nga prokurorja Fatime Fetai, por, procesi nuk solli zhvillime të reja dhe përfundoi pa zbardhur plotësisht të vërtetën, duke kërkuar dënime për të akuzuarit.

Reagime dhe akuza për standarde të dyfishta

Një reagim të fortë bëri sot i dënuari në rastin “Alfa”, Agim Islami në rrjetin social fajesbuk, i cili po vuan dënimin prej 18 vitesh burg, duke akuzuar për padrejtësi dhe trajtim selektiv nga institucionet

“Është për të ardhur keq që nuk kemi kush na mbron nga padrejtësit nga gjykata selektive, nuk ka kush e ngre zërin për shqiptarët e pafajshëm dhe për të burgosurit tjerë!!

Pala tjetër i liroi të gjithë që ishin të dënuar me nga 18, 19 vite burg, arsyetimi ishte ‘shëndeti i përkeqësuar’. Është interesante se si u sëmurën të gjithë kur u futën në burg, dhe të gjithë u liruan pa e bërë as gjysmën e dënimit!

Rexhail Qerimi vdiq në burg sepse ju përkeqësua shëndeti, askush nuk i dha atij ndërprerje të dënimit, ose ‘lirim me kusht’ e as rigjykim të rastit, edhe pse të gjithë e dinin se ishte i pafajshëm!

Domethënë ne shqiptarët nuk kemi të drejtë as të sëmuremi, nuk kemi nevojë për mjekim, nuk kemi nevojë për ndërprerje të dënimit, nuk kemi nevojë që të lirohemi me kusht, nuk kemi të drejtë as për rigjykim, edhe pse faktet flasin për pafajësinë tonë!!

Me një fjalë shqiptarët duhet të vdesin në burg, që ju të jeni të kënaqur apo!

Liri për rastin Alfa! Liri për të gjitha rastet e montuara!”, ka shkruar Agim Islami

Ai pretendon se në raste të tjera, të dënuarit janë liruar për arsye shëndetësore pa e vuajtur të plotë dënimin, ndërsa për të dënuarit shqiptarë, sipas tij, nuk aplikohen standarde të njëjta.

Ndërkohë, në rastin “Sopoti” u konstatua më vonë se personat e dënuar nuk kishin përgjegjësi, por askush nuk mori përgjegjësi për pasojat e vuajtura nga ta.

Ngjashëm, edhe për rastin “Lagjja e Trimave” në Kumanovë, ende nuk është bërë e qartë se kush ishin urdhërdhënësit dhe përgjegjësit kryesorë.

Thirrje për drejtësi dhe ndërhyrje ndërkombëtare

Kritikët vlerësojnë se sistemi juridik në vend mbetet i brishtë dhe i ekspozuar ndaj ndikimeve politike, duke kërkuar zbatim të plotë të ligjit dhe identifikim të përgjegjësve të vërtetë.

Familjarët theksojnë se dhimbja e tyre nuk do të marrë fund derisa drejtësia të vihet në vend dhe autorët e vërtetë të përballen me ligjin.

Në këtë kontekst, kërkohet edhe angazhim më i madh nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndihmuar në trajtimin e këtyre rasteve në mënyrë të pavarur dhe transparente.

Sipas vlerësimeve, vetëm një qasje e paanshme dhe e depolitizuar mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rasteve dhe në rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë, shkruan “Zhurnal.mk.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër