“Le città di pianura” triumfon në David di Donatello me tetë çmime

Nga D. V.
315 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Filmi “Le città di pianura” i regjisorit Francesco Sossai triumfoi në edicionin e këtij viti të David di Donatello, duke fituar tetë çmime nga 16 nominime, mes tyre ato për filmin më të mirë, regjinë më të mirë dhe aktorin më të mirë për Sergio Romano.

Regjisori 37-vjeçar nga Veneto, i njohur më parë për filmat e shkurtër dhe prodhimet me buxhet të ulët mes realizmit dhe ironisë surreale, e cilësoi kinemanë si “pasqyra e vendit”. Në fjalën e tij pas marrjes së çmimit, Sossai falënderoi bashkëshorten “që pagoi qiranë ndërsa ai shkruante filmin”, duke kujtuar se realizimi i projektit kishte kërkuar “dhjetë vite përpjekjesh”.

“Le città di pianura” rrëfen historinë e dy burrave të zhgënjyer në zonat rurale të Venetos, mes krizës ekonomike të vitit 2008 dhe humbjes së identitetit social.

Ndërkohë, Aurora Quattrocchi fitoi çmimin për aktoren më të mirë për filmin “Gioia mia”, në një nga surprizat e mbrëmjes. Aktorja 83-vjeçare triumfoi përballë emrave të njohur si Valeria Golino, Valeria Bruni Tedeschi dhe Barbara Ronchi.

Filmi “Primavera”, debutimi në kinema i regjisorit të operës Damiano Michieletto, fitoi katër çmime, ndërsa “La grazia” i Paolo Sorrentino dhe “Queer” i Luca Guadagnino mbetën pa çmime, pavarësisht nominimeve të shumta.

Mbrëmja u shoqërua edhe me deklarata politike dhe sociale nga artistët. Matilda De Angelis, e shpallur aktorja më e mirë joprotagoniste për filmin “Fuori”, tha se “Italia është varfëruar kulturorisht” dhe kërkoi që kultura të vendoset “në qendër të vendit”.

Ndërsa Lino Musella, fitues i çmimit për aktorin më të mirë joprotagonist për filmin “Nonostante”, deklaroi se “kinemaja është kërcënim për autokratët”, duke ia dedikuar çmimin flotiljes humanitare për Gazën dhe Palestinës.

Publiku në sallë u ngrit në këmbë për të nderuar regjisorin Gianni Amelio, i cili mori çmimin e karrierës.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër