Lëvizja Anti Bixhoz paralajmëron rikthimin e protestave: Qeveria nuk na pranoi në takim

Nga D. V.
484 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 07 maj, Zhurnal.mk – Lëvizja Anti Bixhoz ka paralajmëruar rikthimin e protestave, duke akuzuar Qeverinë se prej dy vitesh nuk ka pranuar të zhvillojë takim me përfaqësuesit e saj për të dëgjuar kërkesat lidhur me lojërat e fatit.

Përfaqësuesi i lëvizjes, Jushi Emërllahu, deklaroi se mbeten në kërkesën që bastoret dhe kazinotë të largohen të paktën 500 metra vijë ajrore nga shkollat, çerdhet dhe objektet fetare, ndërsa në të ardhmen të zhvendosen së paku tre kilometra larg qyteteve.

Ai tha se protestat janë pezulluar për dy vite me shpresën se do të zhvilloheshin takime me institucionet dhe do të realizoheshin premtimet për reduktimin e kazinove dhe bastoreve.

“Nëntë emaila kemi dërguar edhe kryeministrit Mickoski, VLEN-it, por veçmas, por nuk kanë pranuar takim deri më sot”, deklaroi Jushi Emërllahu.

Sipas tij, përkundër premtimeve politike gjatë fushatave zgjedhore, situata në terren ka shkuar në drejtim të kundërt.

“Edhe Izet Mexhiti edhe Bilall Kasami gjithë fushatën e bënë me kërkesat e Lëvizjes Anti Bixhoz, por në fakt në terren ndodh e kundërta”, tha Emërllahu.

Ai shtoi se të hyrat nga lojërat e fatit janë rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit.

“Në vitin 2023 DAP ka marrë diku një miliard euro tatim, ndërsa tani në vitin 2025 merr rreth 2.8 miliardë euro nga lojërat e fatit. Në vend që të zvogëlohet numri, ai është shtuar”, deklaroi ai.

Nga Lëvizja Anti Bixhoz paralajmërojnë se në periudhën e ardhshme do të organizohen protesta më të ashpra.

“Jemi duke u përgatitur dhe shpejt do të kemi protesta më të ashpra se sa mendojnë se do të jenë”, theksoi Jushi Emërllahu.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër