Shkup, 22 nëntor Zhurnal.mk – Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, sot në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut do të mbahet një seancë solemne kushtuar kësaj date të rëndësishme historike dhe kulturore për shqiptarët. Seancën do ta udhëheqin zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, së bashku me ministrin e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati.
Shënimi institucional i kësaj dite përbën një mundësi për të rikujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, i cili shënoi një kthesë vendimtare në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe. 22 Nëntori mbetet një nga datat më të rëndësishme të identitetit kombëtar shqiptar, duke simbolizuar unitetin, dijen, kulturën dhe përpjekjen ndër breza për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.

