Moskë, 8 maj, Zhurnal.mk – Ukraina ka kryer sulme të fuqishme me dronë dhe raketa ndaj territorit rus, vetëm pak orë pasi hyri në fuqi armëpushimi i njëanshëm i shpallur nga Moska, thanë sot zyrtarët rusë.
Guvernatori i rajonit jugor të Rostovit, Yuri Slyusar deklaroi se mbetjet e dronëve të interceptuar shkaktuan dëme në disa qytete, përfshirë Rostov-mbi-Don, Taganrog dhe Bataisk.
Ai tha se nuk ishin raportuar viktima, megjithëse në të gjithë rajonin ishte shpallur alarmi sulme me raketa.
Sipas Slyusar, ishin dëmtuar disa banesa private dhe një kamion në Rostov-mbi-Don, ndërsa një zjarr kishte shpërthyer në një ndërtesë administrative.
Kanale ukrainase në Telegram publikuan video që pretendohet se tregojnë zjarre të mëdha në qytet, të cilat vazhduan deri në orët e mëngjesit.
Një nga objektet e goditura raportohet të ketë qenë një ndërmarrje e industrisë së mbrojtjes, megjithëse këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Sulme u raportuan edhe në qytetin Jaroslavl, rreth 300 kilometra në verilindje të Moskës.
Media ruse “Astra” raportoi se një rafineri nafte lokale mund të ketë qenë mes objektivave. Video të shpërndara në internet shfaqnin zjarre të mëdha, ndërsa guvernatori rajonal Mikhail Yevrayev konfirmoi sulmin, pa dhënë detaje mbi dëmet.
Gjatë natës u shpallën alarme ajrore në disa rajone ruse. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin tha se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar 25 dronë që po i afroheshin kryeqytetit. Fillimisht nuk u raportuan dëme.
Armëpushimi i shpallur nga Moska, hyri në fuqi gjatë natës dhe synon të mbulojë festimet e Ditës së Fitores më 9 maj, përfshirë paradën vjetore ushtarake në Moskë, që përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste.
Ukraina iu përgjigj me një armëpushim të njëanshëm duke nisur nga 6 maji, por më vonë e tërhoqi atë pasi akuzoi Rusinë se kishte vazhduar sulmet, përfshirë një nga sulmet më të mëdha me dronë që nga fillimi i konfliktit.
Masat e sigurisë në Moskë janë forcuar për shkak të sulmeve ukrainase me dronë, të cilat Kievi i ka zgjeruar brenda territorit rus gjatë muajve të fundit.
Kremlini gjithashtu tërhoqi papritur ftesat për gazetarët e huaj për të ndjekur paradën ushtarake.
