Deponia në Gllogjë mbetet problem i pazgjidhur

Nga Xh M
823 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tearcë, 10 maj Zhurnal.mk – Më shumë se një dekadë, deponia e mbetjeve inerte në fshatin Gllogjë të Komunës së Tearcës vazhdon të mbetet e papastruar dhe problem i pazgjidhur për banorët. E krijuar nga mbetjet që lanë pas vërshimet e mëdha të vitit 2015, deponia vazhdon të qëndrojë në të njëjtin vend, ndërsa institucionet prej vitesh paralajmërojnë zgjidhje, pa dhënë ende një afat konkret për zhvendosjen ose sanimin e saj. Edhe takimi i fundit mes kreut të komunës dhe Ministrisë së Mjedisit përfundoi pa ndonjë vendim konkret se kur do të nisë pastrimi i saj.

“Kemi lënë një takim me ministrin Hoxha për këtë problem në komunën e Tearcës, për deponinë që kemi në fshatin Gllogjë. Me burimet tona kemi arritur të pastrojmë një pjesë, mirëpo pjesa tjetër kërkon trajtim afatgjatë sepse ka shumë mbetje inerte.”, deklaroi kryetari i komunës së Tearcës, Daut Memishi.

Nga Ministria e Mjedisit thonë se zgjidhja e problemit lidhet me ndërtimin e qendrave rajonale për menaxhimin e mbeturinave, projekt që sipas tyre do të ndikojë edhe në uljen e numrit të deponive të egra.

“Me ndërtimin e qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave do t’u japim fund deponive të egra që krijohen në pjesë të ndryshme të komunave. Jemi të fokusuar në ndërtimin e tranzit-qendrave, përfshirë edhe Tetovën, ku do të bëhet grumbullimi i mbeturinave dhe do të zvogëlohet numri i deponive të egra.”, tha ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamet Hoxha.

Megjithatë, derisa institucionet vazhdojnë me premtime dhe plane afatgjata, deponia në Gllogjë vazhdon të zgjerohet dhe të keqpërdoret nga qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët hedhin mbetje shtëpiake dhe mbeturina të përditshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër