Sofje, 10 maj Zhurnal.mk – Me emërimin e ministres së re të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova–Chamova, një detaj i rëndësishëm nga karriera e saj politike ka kaluar pothuajse pa u vënë re. Sipas BGNES, ajo ka pasur rol kyç në hartimin e kornizës negociuese të propozuar nga presidenca franceze e Bashkimit Evropian në qershor të vitit 2022, dokument që i hapi rrugën Shkupit drejt nisjes së negociatave për anëtarësim në BE.
Si zëvendësministre e Punëve të Jashtme në qeverinë e Kiril Petkov, Petrova–Çamova mori pjesë në të gjitha negociatat përgatitore, harmonizimet dhe përpilimin e versionit final të të ashtuquajturit “propozim francez”, përmes të cilit kontestet dypalëshe mes Shkupit dhe Sofjes u transferuan në nivel evropian. Në atë periudhë, vetë Petkov kishte deklaruar publikisht se nuk e kishte lexuar tërësisht dokumentin dhe se kishte besim të plotë te ekspertët e Ministrisë së Jashtme bullgare.
“Sipas marrëveshjes së arritur, e cila u ratifikua nga të dy parlamentet, Maqedonia e Veriut mori obligim që bullgarët t’i përfshijë në Kushtetutë në mënyrë të barabartë me popujt e tjerë. Shkupi duhet gjithashtu ta zbatojë Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë të vitit 2017, e cila është pjesë e mekanizmit monitorues të BE-së. Bullgaria njeh ekzistencën e gjuhës moderne maqedonase, sipas formulimit në Kushtetutën e RMV-së. Në të njëjtën kohë, autoritetet në Shkup obligohen të ndalin gjuhën e urrejtjes dhe të deklasifikojnë dosjet e shërbimeve sekrete nga koha e diktatorit jugosllav Josip Broz Tito”, shkruan BGNES.
Parlamenti bullgar e miratoi atëherë kornizën negociuese me shumicë të madhe prej 170 votash “pro”. Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut, pas tri ditësh debat, Kuvendi miratoi konkluzionet për propozimin francez me 68 vota “për”.
Më 19 korrik 2022, në Bruksel u mbajt konferenca e parë politike ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, duke shënuar simbolikisht fillimin e negociatave. Megjithatë, hapja e klasterëve vazhdon të mbetet e bllokuar, pasi vendi ende nuk e ka përmbushur kushtin kryesor të marrëveshjes – ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
