Përgjegjësia për humbjen e zgjedhjeve e imja, por nuk zhysim vendin në kaos

Nga D. V.
379 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Londër, 11 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri britanik Kair Starmer tha se merr përgjegjësi për “moslargimin” dhe “moszhytjen e vendit në kaos” pas rezultateve zgjedhore të javës së kaluar, të cilat ai i quajti “shumë të vështira”.

“Rezultatet zgjedhore javën e kaluar ishin të vështira, shumë të vështira. Humbëm disa përfaqësues të shkëlqyer laburistë. Kjo dhemb dhe duhet të dhemb. E kuptoj, e ndiej dhe marr përgjegjësi”, tha Starmer gjatë një aktiviteti në Londër.

Ai theksoi se nuk do të shmanget nga fakti se ka “disa dyshues, përfshirë edhe në partinë time”, duke shtuar se duhet t’u dëshmojë atyre se e kanë gabim dhe se do ta bëjë këtë.

“Marr përgjegjësi për ta udhëhequr vendin tonë në një botë më të rrezikshme se në çdo kohë të jetës sime dhe marr përgjegjësi për moslargimin, për moszhytjen e vendit tonë në kaos”, tha ai.

Gjatë fjalimit të tij, Starmer premtoi rindërtimin e marrëdhënieve me Evropën duke “e vendosur Britaninë në zemër të Evropës”. Ai theksoi se Brexit-i e bëri Britaninë më të varfër dhe më të dobët ndërsa migrimi u rrit ndjeshëm.

Partia Laburiste pësoi humbje historike në Senedd-in (parlament) e Uellsit ndërsa Partia Kombëtare Skoceze ruajti pushtetin për herë të pestë radhazi në Parlamentin Skocez në zgjedhjet e javës së kaluar në të gjithë Skocinë, Uellsin dhe 136 autoritete lokale angleze, që ishin grupi më i madh i zgjedhjeve që nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024.

Partia Reform UK fitoi më shumë se 1.450 vende në këshilla lokale, duke vazhduar suksesin e partisë pas depërtimit të saj në administratat lokale vitin e kaluar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër