Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Programi kombëtar “Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura”, një nismë që synon mbrojtjen e mjedisit dhe mirëmbajtjen e shtigjeve turistike, vazhdon në të gjithë vendin.
Këtë herë, një grup nxënësish nga Lezha i janë bashkuar kësaj, nisme, duke iu përgjigjur nevojës për angazhim më të gjerë qytetar, pasi vetëm specialistët e zonave të mbrojtura nuk mjaftojnë për të garantuar ruajtjen e këtyre hapësirave natyrore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje nga ky aksion i të rinjve që i janë bashkuar nismës për mbrojtjen e natyrës dhe ruajtjen e pastërtisë në shtegun e Ishullit të Kunes.
Nxënësit në gjithë vendin po bëhen pjesë aktive e kësaj nisme, duke kontribuar drejtpërdrejt në pastrimin dhe mirëmbajtjen e shtigjeve, përmes aktiviteteve edukative dhe ekskursioneve në natyrë.
Programi kombëtar “Shtigje të Pastra, Pyje të Mbrojtura” synon të krijojë një kulturë të re bashkëpunimi mes institucioneve dhe qytetarëve, duke e kthyer mbrojtjen e natyrës në një prioritet të përbashkët kombëtar.
Shtigjet turistike në Shqipëri po kthehen gjithnjë e më shumë në destinacione të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, falë bukurisë natyrore dhe mundësive për ecje, aventurë dhe eksplorim. Rritja e interesit për turizmin malor dhe aktivitetet në natyrë ka sjellë edhe nevojën për kujdes dhe mirëmbajtje më të madhe të këtyre hapësirave.
