Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po pengon procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Berisha iu referua edhe deklarimeve të publikuara nga publicisti Michael Rubin, duke theksuar se sipas tij, kryeministri Rama është cilësuar në mënyrë kritike në këtë kontekst.
“Çdo ditë e më shumë bëhet botërisht e qartë se Edi Rama është një gangrenë, siç shprehet sot një publicist i mirënjohur për të, Michael Rubin, një gangrenë që duhet hequr sa më parë”, u shpreh Berisha.
Ai deklaroi se opozita po qëndron “fuqishëm si zëri i shqiptarëve” në mbështetje të procesit të integrimit europian, të cilin e cilësoi si projektin më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Berisha nënvizoi se, “nuk ka projekt më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe kombin sesa vendosja e Shqipërisë në këtë komunitet ashtu siç e projektonin rilindësit tanë, zonjë midis vendeve të tjera të Evropës”.
Kreu i PD shtoi se, “procesi i integrimit çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë”.
Berisha u shpreh se, “shqiptarët duhet ta dinë se këta nuk kanë absolutisht asnjë interes për të ardhmen e tyre, përveçse për të ardhmen e vet dhe parajsën e tyre dhe të fëmijëve të tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë”.
Për ta, theksoi Berisha, “integrimi evropian është një proces krejtësisht i padëshirueshëm, sepse ky proces ka disa rregulla, ligje, standarde që përparësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk pranon qeveritarët hajdutë, nuk pranon lidhjet me krimin të qeveritarëve”.
Ky proces, theksoi kreu i PD, “kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, të votës së lirë të shqiptarëve, por edhe funksionimin e ekonomisë së tregut dhe rregullave të tregut”.
