Editorial / Koha për Referendum në Maqedoni të Veriut, le të vendosin qytetarët e jo politikanët

Nga B.M
1,630 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 Maj, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut ndodhet në udhëkryq në rrugën e premtuar të saj për hyrje në Bashkimin Evropian.

Vendi ishte i pari nga krejt vendet e rajonit të Ballanit Perëndimor që u fut në rrugën tashmë të stërgjatur për anëtarësim, por të bllokuar për shkak të kërkesave të vendeve fqinje anëtare në BE.

Partitë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndodhen të përçara për kërkesën e vitit 2022 të BE-së të imponuar nga Bullgaria.

E kur politikanët nuk merren vesh me njëri tjetrin, fjala dhe vendimi duhet t’u takojë qyetarëve të vendit.

Qyetetarët e Maqedonisë së Veriut janë ata të cilët duhet të pyeten, pra edhe të vendosin, se çfarë duhet bërë tash pas katër vitesh ngërçi, shkruan Zhurnal.mk.

Kronologjia e rrugës së stërgjatur për në BE

Maqedonia (emri kushteutes deri para 2019) ishte vendi i parë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor i cili e nënshkroi marrëveshjen e parë në procesin e anëtarësimit të premtuar nga vet Bashkimi Evropian.

Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim (MSA) u nënshkrua në prill të vitit 2001 në vlugun e konfliktit të armatosur midis shqiptarëve dhe forcave të shtetit, pra edhe para Kroacisë e cila të njëjtën e nënshkroi në tetor të të njëjtit vit.

Kroacia u bë vend me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në qershor 2004, e Maqedonia e Veriut në dhjetor 2005.

Kroacia u bë anëtare e BE-së në korrik 2013, e Maqedonia ndodhet e bllokuar e duke pritur.

Vetot Greqisë e Bullgarisë

U bënë tash 21 vite prej se vendi e mori vendin e statusit të kandidat.

Përgjatë këtyre 21 viteve, Greqia e detyroi vendin që të ndërroi emrin kushtetutes në Maqedoni të Veriut në shkurt 2019, pas marrëveshjes me Greqinë në qershor 2018, për t’u lejuar anëtarësuar në NATO në mars 2020 e më këtë edhe për t’i dhënë fund vetos së saj edhe për në BE.

Por vetot nuk përfunduan me kaq.

Bullgaria me veton e saj në BE e detyroi Maqedoninë e Veriut të nënshkruajë marrëveshje dy-palëshe në gusht 2017, e në vitin korrik 2022 e detyroi atë të nënshkruajë me BE-në kushtin për ndryshim kushtetute për bashkësinë bullgare për të mundur filluar bisedimet e anëtarësimit.

Por këto ndryshime nuk po ndodhin tash e katër vite, për shkak të ndarjes së maqedonasve në dysh.

VMRO-DPMNE tash ka vendosur kundër-kushtet e saj. Ajo dhe kreu i saj pajtohen që të ndryshojnë kushtetutën sipas kornizës së korrikut 2022 të nënshkruar nga qeveria LSDM-BDI, vetëm nëse Bullgaria respekton të drejtat e bashkësisë maqedonase në Bullgari, e BE të garantojë në mënyrë zyrtare se Bullgaria, pra përmes BE-së, nuk do të ketë bllokada të reja të bisedimeve të anëtarësimit që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Kushtet e BE-së dhe kundër-kushtet e VMRO-DPMNE e Hristijan Mickoskit të dy palët ia thonë njëra-tjetrës përditë. Por, asnjëra palë nuk nuk po ndryshon qëndrimet e kompromisi askund në horizont.

Referendumi dhe pyetjet në të për qytetarët

Por kujt do të duhej t’i takoi vendimi në Maqedoni të Veriut për hapat e ardhshëm në këtë ngërç, i cili nuk pritet se do të përfundojë së shpejti nëse pyetën politikanët e tyre ?

Përgjegja e vetme është : qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Prandaj është koha që qytetarët të vendosin për vendin e tyre.

Këto do të duhej të jenë pyetjet në Referendum, në të cilat ata do të duhet të përgjigjen, pra vendosin për hapat e ardhshëm :

1 – A jeni për ndryshimin e kushtetutës vetëm sipas kushtit të korrikut 2022 të vendosur nga BE ?

2 – A jeni për ndryshimin e kushtetutës sipas kushtit të korrikut 2022, por vetëm nëse Bullgaria zbaton respektimin e të drejtave të maqedonsve në Bullgari, dhe BE garanton zyrtarisht njohjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase dhe nuk do të vendosin kushte shtesë të ndërlidhura me identitetin dhe gjuhën maqedonase? (opcioni i VMRO-DPMNE-së)

3 – A jeni për ndryshim të kushtetutës sipas kushtit të korrikut 2022 tash, e nëse përgjatë bisedimeve të anëtarësimit (hapjes e mbylljes së kapitujve negociues) Bullgaria dhe BE vendosin kushte të cilat kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase atëherë vet qeveria e Maqedonisë së Veritu të ndërpresë këto bisedime ? (opcioni i LSDM-së ).

Këto pyetje në fund të fundit nuk do të duhet të jenë pikërishtë kështu të formuluara, ato mund të riformulohen, sipas pajtimit midis partive politike parlamentare.

Shëndeti i demokracisë matet edhe me referendume

Nuk ka asnjë arsye pse të mos mbahet ky referendum.

Demokracia për të cilën flasin përditë politikanët maqedonasë, shqiptarë, e të pakicave në vend, dhe politikanët nëpër krejt vendet e BE-së, nuk është demokraci e vërtetë dhe aspak e shëndoshë nëse refendume si ky ndalohen.

Politikanët që kanë dëshirë që të vendosin vet e të injorojnë zgjedhjen e qytetarëve mund ta ndalojnë këtë referendum. Por edhe për këtë eventualitet ka një zgjidhje.

Nëse politikanët nuk e duan këtë referendum, le të mbahet një para-referendum me pyetjen e vetme : a duhet që qytetarët të vendosin/pyeten në referendum, se cili duhet të jetë hapi i ardhshëm për në rrugën e premtuar për hyrje në BE ?

Maqedonia e Veriut është e qytetarëve të saj, dhe në situtë të katillë udhëkryqesh e hamendjesh, qytetarët e saj duhet që të vendosin, jo polikanët e tyre.

Prandaj le të ketë demokraci të vërtetë në Maqedoni të Veriut, le të pyeten e vendosin vet qytetarët. Le të mbahen referendumi e le të dëshmohet se në Maqedoni të Veriut vendosin qytetarët për fatin e tyre dhe të vendit. / Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër