Shkup, 18 nëntor Zhurnal.mk – Emigrimi dhe mungesa e fuqisë punëtore vendase po i detyrojnë kompanitë të kërkojnë punonjës nga jashtë vendit. Numri më i madh i punëtorëve vjen nga vendet aziatike, por angazhimin e tyre e vështirësojnë procedurat e gjata për leje pune dhe viza. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë se sot çështja nuk është më se çfarë biznesi do të hapni, por për cilat veprimtari do të arrini të gjeni punëtorë.
Mungesa e fuqisë punëtore po bëhet një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e kompanive. Punëtorët vendas po largohen drejt Evropës Perëndimore, ndërsa vendet e lira të punës gjithnjë e më shpesh plotësohen me punonjës nga India, Nepali, Bangladeshi dhe Filipinet. Megjithatë, edhe angazhimi i punëtorëve të huaj shoqërohet me procedura të gjata administrative, të cilat mund të zgjasin me muaj, madje deri në një vit.
Në Maqedoni gjithnjë e më shumë shtrohet pyetja jo se çfarë biznesi mund të hapet, por në cilat veprimtari mund të gjenden punëtorë. Ndryshimet demografike, zvogëlimi i popullsisë në moshë pune dhe emigrimi i familjeve të tëra drejt Evropës Perëndimore po lënë vende të zbrazëta pune në prodhimtari, ndërtimtari, hotelieri, turizëm dhe transport.
Agjencitë e ndërmjetësimit për punësim thonë se kompanitë po e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë kuadrin e nevojshëm, ndërsa kërkesa për punëtorë të huaj vazhdon të rritet. Problemi nuk është vetëm lokal, por prek edhe vendet e rajonit.
“Fuqia punëtore vendase gjithnjë e më shumë po migron drejt vendeve të Evropës Perëndimore, ku punëtorët kërkojnë paga dhe kushte më të mira pune. Nuk largohen vetëm individë, por edhe familje të tëra, gjë që e zvogëlon edhe më tej potencialin e tregut vendor të punës. Mungesa e kuadrit mund ta kufizojë zgjerimin e kompanive, investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, thonë nga një agjenci për ndërmjetësim në punësim.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar në vend janë shpërngulur 6.132 qytetarë nga Azia. Prej tyre, 805 ishin nga India, 552 nga Bangladeshi, 430 nga Nepali dhe 60 nga Filipinet. Nga Evropa janë shpërngulur në vend 2.611 persona, ndërsa nga Afrika 77.
Janë regjistruar edhe 4.059 persona të ardhur nga Turqia, 18 nga Pakistani, 34 nga Kina, 16 nga Indonezia, 29 nga Siria dhe 22 nga Tajlanda. Nga Brazili kanë ardhur 30 persona, nga Meksika dhe Peruja nga 10, ndërsa nga Egjipti nëntë persona.
Pjesa më e madhe e punëtorëve nga Azia angazhohen në ndërtimtari, por edhe në fabrika, ku punojnë në linjat e prodhimit, si dhe në hotelieri, si kuzhinierë, ndihmës kuzhinierë dhe pastruese. Punëtorët e huaj, përveç në Shkup, janë të pranishëm edhe në qytete të tjera dhe në qendrat turistike.
Në hotelet e Ohrit janë angazhuar persona nga Bangladeshi, Nepali dhe Filipinet, kryesisht si personel ndihmës për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës, ndërsa më rrallë si kamerierë dhe banakierë.
Megjithëse kuadri i huaj po i ndihmon kompanitë të plotësojnë vendet e lira të punës, ekspertët konsiderojnë se para angazhimit më të madh të punëtorëve nga jashtë duhet të shfrytëzohet potenciali vendor i punës. Sipas tyre, problemi nuk qëndron vetëm te numri i punëtorëve, por edhe te përputhja e aftësive të tyre me nevojat e ekonomisë.
“Tregu ynë i punës është shumë specifik. Kjo nuk lidhet vetëm me numrin e personave që kemi në dispozicion, por edhe me përputhjen e aftësive që posedojnë ata persona”, thotë profesori universitar Borçe Trenovski.
Ai thekson se mungesa e kuadrit është veçanërisht e theksuar në bujqësi, transport, veprimtaritë shërbyese dhe në profesione të caktuara teknike. Për këtë arsye, si pjesë të zgjidhjes ai përmend përfshirjen më të madhe të popullsisë vendase në tregun e punës, rikualifikimin dhe kualifikimin shtesë, si dhe harmonizimin më të mirë të arsimit me nevojat e kompanive.
“Para se të vendosim të sjellim punëtorë nga jashtë, duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha potencialet që kemi këtu. Ende kemi një fuqi punëtore joaktive jashtëzakonisht të madhe”, thekson Trenovski.
Përveç mungesës së kuadrit vendas, problem për kompanitë paraqesin edhe procedurat e gjata për angazhimin e punëtorëve të huaj. Marrja e lejeve të punës dhe vizave kërkon grumbullimin e dokumentacionit, dorëzimin e aplikimeve përmes ambasadave dhe kontrolle në disa nivele nga institucionet kompetente, përfshirë edhe verifikimet që lidhen me sistemin e Shengenit.
Në varësi të shtetit nga vjen punëtori, procedura mund të zgjasë nga disa muaj deri në një vit. Kjo paraqet problem veçanërisht të madh për bizneset sezonale, të cilat duhet ta sigurojnë personelin në kohë. Vonesat mund të bëjnë që punëtori të arrijë pasi të ketë kaluar periudha kur ai ishte më së shumti i nevojshëm.
Për këtë arsye, agjencitë kërkojnë thjeshtimin dhe përshpejtimin e procedurave, digjitalizim më të madh dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve, duke ruajtur kontrollet e nevojshme ligjore dhe të sigurisë.
Lejet e punës dhe vizat duhet të lëshohen brenda afateve që do t’u mundësojnë kompanive të planifikojnë në kohë veprimtarinë e tyre. Sipas agjencive, çështja tashmë nuk është vetëm se sa biznese të reja dhe investime mund të tërheqë vendi, por edhe nëse do të ketë mjaftueshëm punëtorë për t’i realizuar ato.
https://www.vecer.press/ne-e-prashane-kakov-biznis-ke-zapochnete-tuku-dali-ke-najdete-rabotniczi/

