Shkup, 16 maj, Zhurnal.mk – Në kushte të pasigurisë ekonomike globale, presioneve të larta buxhetore dhe detyrimeve për të shlyer borxhet e vjetra, Qeveria mundohet të mbajë rrugën e konsolidimit fiskal. Por, ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike dhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi theksoi se borxhi publik është rritur me 2.5 miliardë euro në terma absolutë vetëm për dy vjet. Edhe përkundër këtyre shifrave, niveli i borxhit nga të dhënat zyrtare theksohet se është ende brenda limiteve të parapara nga standardet e vendosura ndërkombëtare. Qeveria e mëparshme e Zaevit, borxhin publik në vitin 2017 e kishte marrë me 4.78 miliardë euro, ndërsa deri në tremujorin e dytë të vitit 2024 e kishte lënë me 8.87 miliardë euro, që përfaqëson një rritje pothuajse të dyfishtë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Borxhi rritet me 2.5 miliardë euro!
Borxhi publik është rritur me 2.5 miliardë euro vetëm për dy vjet. Borxhi publik nuk duhet të relativizohet dhe se është gabim të krijohet perceptimi se huamarrja nuk është një çështje e rëndësishme për stabilitetin ekonomik të vendit.
Në dhjetor të vitit 2023 borxhit publik arrinte 8.5 miliardë euro, ndërsa në këtë moment, pa borxhin e ri prej 260 milionë eurosh, niveli i borxhit arrin në 10.8 miliardë euro, që do të thotë se në total me huamarrjen e re, borxhi arrin në 11 miliardë euro.
Për fondet nga kredia hungareze qytetarët ende nuk kanë një pasqyrë të qartë se ku dhe si po përdoren ato para.
250 milionë euro nga këto para duhej të shkonin për njësitë e qeverisjes vendore, ndërsa deri më tani, janë paguar vetëm 47 milionë euro, sepse të gjitha kontratat për dhënien e parave hungareze në infrastrukturë janë për pesë vjet, shkruan “Zhurnal.mk”.
Borxhi publik është 59.6%
Borxhi publik i shtetit, deri më 31 dhjetor 2025, arrin në 10,064,1 milionë euro, që përbën 59,6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) tregojnë të dhënat e Ministrisë së financave.
Kjo shumë e borxhit publik është një tregues i qartë dhe i fortë për përpjekjet drejt financave publike të qëndrueshme dhe konsolidimit fiskal, dhe njëkohësisht do të thotë edhe respektim i kritereve të Maastrichtit, sipas të cilave borxhi publik duhet të jetë nën 60 për qind të PBB-së.
Niveli më i ulët i borxhit publik krahasuar me pritshmëritë i atribuohet kryesisht shpenzimit të kujdesshëm në kuadër të buxhetit qendror, por edhe tërheqjes së kontrolluar dhe me faza të mjeteve kreditore nga ndërmarrjet publike.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi publik i jashtëm arrin në 4,493,9 milionë euro, ndërsa borxhi publik i brendshëm është 4,570,2 milionë euro. Borxhi shtetëror deri në fund të vitit 2025 arrin në 538,253,1 milionë euro, përkatësisht 51,8 për qind të PBB-së, duke shënuar një ulje prej 1,2 pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm, shkruan “Zhurnal.mk”.
Politika fiskale mbetet e kontrolluar me kujdes!
Stabilizimi fiskal i Maqedonisë së Veriut zbatohet me kujdes dhe gradualisht, me një qëllim të qartë – uljen e deficitit buxhetor, por edhe ruajtjen e aktiviteteve ekonomike.
Politika fiskale në vitin 2026 mbetet e vendosur brenda kuadrit të strategjisë afatmesme të Qeverisë, me prioritete që synojnë mbështetjen e ekonomisë, mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe menaxhimin e disiplinuar të financave publike.
Cikli i rritjes ekonomike është planifikuar prej rreth 3.5 përqind, dhe borxhi publik nuk e cënon këtë rritje.
Deficiti buxhetor në të ardhmen duhet të ulet në 3 përqind deri në vitin 2028, dhe më pas nën atë nivel, por pa prishur kushtet për zhvillim ekonomik. Konsolidimi fiskal nuk është më vetëm një politikë ekonomike, por një mekanizëm i nevojshëm për krijimin e rezervave në kushtet e pasigurive të vazhdueshme globale dhe krizave të mundshme në të ardhmen.
Qeveria duhet të shlyejë afër 9 miliardë euro borxhe të vjetra!
Aktualisht, Qeveria po përballet me një barrë serioze të detyrimeve të ndërmarra në të kaluarën, të cilat duhet të shlyhen në vitet në vijim. Vitin e kaluar u shlye një eurobond prej 500 milionë eurosh, dhe këtë vit duhet të shlyhet një eurobond prej 700 milionë eurosh, gjysma e të cilit tashmë është shërbyer, ndërsa pjesa tjetër duhet të shlyhet në qershor të vitit 2026.
Nga viti 2026 deri në vitin 2031, kjo Qeveri ka detyrimin të paguajë rreth 9 miliardë euro borxhe të vjetra në bazë të principalit dhe interesit.
Menaxhimi i borxhit publik bëhet veçanërisht i ndjeshëm kur niveli i afrohet pragut psikologjik prej 60 përqind të PBB-së, pasi duhet të ruhet stabiliteti i financave publike dhe në të njëjtën kohë të sigurohen fondet për zhvillim.
Nga qeveria e mëparshme e Zaevit, borxhi publik në vitin 2017 ishte 4.78 miliardë euro, dhe deri në tremujorin e dytë të vitit 2024 arriti në 8.87 miliardë euro, që përfaqëson një rritje pothuajse të dyfishtë.
Qeveria aktuale në periudhën nga gjysma e dytë e vitit 2024 deri në tremujorin e parë të vitit 2026, siguroi 1.2 miliardë euro për pagesën e euroobligacioneve, pa llogaritur detyrimet e tjera të projektit dhe huamarrjen e brendshme, shkruan “Zhurnal.mk”.
