Prishtinë, 18 maj Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se, pas përmbylljes së procesit të verifikimit dhe certifikimit, janë publikuar listat zyrtare të kandidatëve për deputetë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara për 7 qershor, transmeton Gazeta Metro.
Në njoftimin e institucionit theksohet se dokumentet e publikuara mund të përmbajnë pasaktësi teknike, të cilat do të rishikohen dhe korrigjohen. Po ashtu, subjektet politike apo kandidatët që vërejnë ndonjë gabim kanë mundësi të kërkojnë përditësim përmes përfaqësuesve të tyre të autorizuar, në adresën elektronike: zyra.kqz@kqz-ks.org.
Në mbledhjen e datës 16 maj, KQZ ka konfirmuar gjithsej 902 kandidatë për deputetë, të cilët përfaqësojnë 21 subjekte politike në garën zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahet më 7 qershor 2026.
“Këto lista mund të përmbajnë lëshime teknike të cilat do të plotësohen. Në rast se ndonjë kandidat apo subjekt politik vëren ndonjë gabim, mund të kërkojë përmirësimin e tij përmes përfaqësuesit të autorizuar, në emailin: zyra.kqz@kqz-ks.org”, bën të ditur KQZ-ja në njoftimin zyrtar.
Sipas të dhënave zyrtare, lista përfshin 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur. Nga numri i përgjithshëm i të certifikuarve, 593 janë meshkuj dhe 309 femra.
