Stojanoski: Të hartojmë ligj në përputhje me Kushtetutën

Nga Xh M
608 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 Zhurnal.mk – Bojan Stojanoski deklaroi se qeveria po punon për një zgjidhje të qëndrueshme ligjore lidhur me mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se synimi është hartimi i një ligji që do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare.

Sipas tij, institucionet janë të angazhuara që të gjendet një model afatgjatë, i cili nuk do të kontestohet juridikisht dhe që do t’i rezistojë kohës.

“Është turp që BDI, pas 20 vjetësh dhe 8 ministrash të Drejtësisë, nuk e ka zgjidhur këtë problem dhe nuk ka asgjë tjetër për t’u ofruar qytetarëve përveç këtij nacionalizmi. Së bashku me partnerët tanë të koalicionit, dje e gjithë publiku në Republikën e Maqedonisë mundi të shihte se u mbajt një takim për të kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme kushtetuese”, deklaroi Stojanoski.

Ai shtoi se qeveria nuk dëshiron të miratojë zgjidhje të përkohshme apo të paqëndrueshme, por një ligj që do të respektojë Kushtetutën, ligjet ekzistuese dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Çfarë do të thotë një zgjidhje kushtetuese e qëndrueshme? Të hartojmë një ligj që do t’i rezistojë provës së kohës, në mënyrë që të mos luajmë me emocionet dhe nevojat e qytetarëve. Nëse po bëjmë ligj dhe po zgjidhim problem, le ta bëjmë në mënyrën që e diktojnë Kushtetuta, ligjet dhe Komisioni i Venecias”, tha ai.

Debati për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe është rikthyer fuqishëm në opinion ditëve të fundit, ndërsa partitë shqiptare dhe organizatat studentore kanë kërkuar që kandidatëve shqiptarë t’u garantohet e drejta për ta dhënë provimin në gjuhën amtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër