Guardiola reagon pasi Arsenali fitoi Ligën Premier – ka një mesazh për Artetën

Nga D. V.
320 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pep Guardiola e ka uruar Arsenalin dhe Mikel Artetën për fitimin e titullit të Ligës Premier.

Manchester City nuk arriti ta çojë garën për titull deri në xhiron e fundit të sezonit, pasi barazoi 1-1 në transfertë ndaj Bournemouthit të martën në mbrëmje, pavarësisht se Erling Haaland e ndezi shpresën me një gol barazimi në minutat shtesë.

Si pasojë, “Topçinjtë” u kurorëzuan kampionë të Ligës Premier për herë të parë pas 22 vitesh dhe me një ndeshje të mbetur për t’u luajtur.

Megjithatë, Guardiola u tregua i shpejtë për të dëshmuar klas, duke i dërguar një mesazh urimi Artetës pas barazimit me Bournemouthin.

“Në emër të Manchester Cityt dhe ekipit tim, urime Arsenalit, Mikelit, gjithë stafit, gjithë lojtarëve dhe tifozëve për këtë Ligë Premier. E meritojnë”.

“Jam mjaft i sigurt se do të jetë diçka e veçantë për të, sepse ka bërë shumë përpjekje dhe punë. Urime atij”, u shpreh Guardiola.

Mbetet të shihet nëse Guardiola do të jetë në krye të Manchester Cityt edhe sezonin e ardhshëm, teksa klubi synon ta rikthejë titullin, ndërsa spekulimet për të ardhmen e tij kanë dominuar mediat që nga e hëna në mbrëmje.

Raportimet pretendojnë se spanjolli ka vendosur të largohet nga posti i trajnerit në fund të sezonit.

Mediat ndërkombëtare kanë bërë të ditur se ish-trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, është në bisedime të avancuara me Cityn për ta zëvendësuar Guardiolën, me një marrëveshje fillestare trevjeçare që thuhet se është arritur “në parim”./

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër